Alarmi: 30 ura rrezikojnë të shemben në Shqipëri

Aktualitet

Tragjedia e shembjes së urës në qytetin Genova në Itali, ku humbën jetën mbi 40 persona, alarmoi strukturat shqiptare të emergjencave, të pushtetit lokal, apo edhe të Forcave të Armatosura, për sigurinë e urave në Shqipëri.

Pikërisht nga kjo, “Fiks Fare” ka ndërmarrë një vëzhgim mbi disa ura kryesore në vendin tonë.

Asokohe u vu theksi mbi veprat e artit në vendin tonë, të cilat prej shumë kohësh nuk kanë investime apo mirëmbajtje të rregullt.

Ish-kreu i ARRSH-së, Afrim Qëndro theksoi në një deklaratë se në vendin tonë janë 30 ura që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, si pasojë e moshës dhe gjendjes teknike në të cilën ato ndodhen. Edhe ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi deklaroi në po të njëjtën kohë se, në Shqipëri janë mbi 30 ura që rrezikojnë të shemben.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rezultatet dolën pas një raporti të bërë në terren, nga një grup i përbërë nga Emergjencat Civile, nga Forcat e Xhenios së Ushtrisë, apo edhe specialistë të ARRSH-së, të ndihmuar nga një specialist italian, të cilët vëzhguan urat në Shqipëri. Megjithëse raporti ka dalë në mars të vitit 2018, ende nuk ka një plan konkret masash apo ndërhyrje në këto vepra arti.

Për të parë me detaje problematikën e disa urave kryesore në vend, “Fiks Fare” kontaktoi me inxhinierin Xhevair Ngjeqari. Vëzhgimi fillon me urën e Vorës, ku Ngjeqari shprehet se është një urë e ndërtuar nga vitet ’80 dhe e keqndërtuar.

“Kanë kaluar 25 vite shfrytëzim i kësaj ure dhe asokohe që është ndërtuar, maksimumi i mjeteve që e përshkonin ka qenë 500 deri në 1.000 në ditë. Tani, intensiteti i kalon 3.000 mjete në ditë, pa harruar këtu që është bllokuar kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Kjo urë ka nevojë urgjente të rikonstruktohet, sepse është e paqëndrueshme”, sqaron inxhinieri.

Ai shprehet gjithashtu se urat kanë një amortizim vjetor, që tek urat e drurit kërkon një mirëmbajtje që shkon deri në 5 për qind të vlerës së tyre, ndërsa tek urat e gurit 0.5 për qind. Urat e betonit duan rreth 1 për qind të kostos së tyre, që të jetë pjesë e mirëmbajtjes.

Urat në veri të vendit, të degraduara! Duhet ndërhyrje urgjente!

Mbi lumin Mat shtrihet një nga veprat më të veçanta në vendin tonë, të ndërtuar nga italianët: ura e Zogut.

E ndërtuar në vitin 1932, aktualisht mbi këtë urë është ndërprerë qarkullimi i mjeteve. Ngjeqari shprehet se ura nuk është e mirëmbajtur dhe për këtë fajëson edhe pushtetin lokal, por ajo që vëren më tepër është se dora e njeriut ka shkatërruar parmakët e urës.

Ajo që ai thekson është se, ura ka qëndrueshmëri dhe se materiali i saj është shumë i mirë, që i ka rezistuar kohës. E veçanta është se, harqet e urës nuk janë të dëmtuara, por që nese nuk vihet dorë në të pas 10 vitesh, gradualisht erozioni do të ndikojë në prishjen e saj.

Edhe ura në fshatin Skuraj, ura e vjetër në rrugën nacionale nuk i ka shpëtuar prishjes. Sipas Emergjencave, ura është dëmtuar qëllimisht. I të njëjtit mendim është edhe inxhinieri Ngjeqari, ku në konstrukt ura është e qëndrueshme, por që është grabitur e shkatërruar duke e bërë të pakalueshme.

Ura me hark në Ulëz është një urë e rëndë, e stabilizuar dhe e qëndrueshme. Ura është ndërtuar me ndihmën e rusëve dhe hyn tek urat masive. Sipas inxhinierit, ka 10 ose 15 vite që s’ka vënë njeri dorë mbi këtë urë. Struktura sipër është e amortizuar dhe nuk ka as masat më minimale, siç është sinjalistika vertikale. Mbi struktura ka nevojë të riparohet urgjentisht.

Gjatë vëzhgimit mbi rrugën që të çon nga Burreli në Rrëshen, në një pjesë të saj, jo vetëm ura është e prishur, por edhe rruga është e shkatërruar. Edhe pse është bërë rikonstruksion i plotë i urës dhe nuk kanë kaluar as 5 vite nga ndërtimi i saj, ajo është plotësisht e dëmtuar dhe e pakalueshme.

Urat 90-vjeçare, në këmbë për inerci të fatit. Nga shteti nuk është vënë dorë

Në rrugën nacionale Tepelenë-Përmet ndodhet ura e Leklit. Ura është e ndërtuar në vitin 1930, e gjatë kësaj kohe, prej gati 90 vitesh nuk është ndërhyrë fare në të.

Shirat e fundvitit të kaluar kanë shkatërruar njërën prej këmbëve të kësaj ure, e deri më sot nuk është ndërhyrë për rregullimin e saj.

Gazetarët pyetën në ARRSH nese ka ndonjë plan afatshkurtër për rregullimin e këmbës së urës, e si përgjigje morën që ende nuk ka asnjë plan sesi do të veprohet.

Pas urave të vjetra, nuk mbetet pas as ura e Dragotit, në Këlcyrë. Ura është e ndërtuar në vitin 1936 nga forcat italiane, është e gjatë 108 metra, e lartë 27 metra dhe e gjerë mbi 7 metra.

Shteti shqiptar, prej gati 80 vitesh nuk ka ndërhyrë në këtë urë. E vetmja masë parandaluese për këtë urë është një tabelë nga ARRSH-ja, ku janë të përcaktuara se kush duhet të kalojë, apo sa ton mban ura.

ME TE LEXUARAT