Të enjten jepet masa e sigurisë për Kelmend Balilin

Aktualitet

Të enjten, Gjykata e Krimeve të Rënda do të japë masën e sigurisë për Kelmend Balilin, të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”. Balili i vetëdorëzua dje në duart e Policisë, ashtu siç kishte premtuar një vit më parë se do ta bëntë këtë kur të vinte dosja hetimore nga Greqia.

SI I VETEDOREZUA


Rigels Balili, nipi i Kelmend Balilit, që u bë ndërmjetës për dorëzimin e tij, rrëfeu dje se "negociatat kanë nisur që në momentin kur na njoftuan se është plotësuar dosja dhe është gati për t’u dorëzuar në gjyq. Të martën bëmë të mundur dorëzimin në drejtorinë e Policisë. Nuk është arrestuar, është vetëdorëzuar, kam shkuar unë në zyrën e Drejtorit të Policisë dhe kam bërë negociatën…. Në momentin që dosja do të shkonte në gjyq ai ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë. Të martën kemi bërë të mundur vetëdorëzimin në polici. …Nuk pata kohë ta pyesja se ku kishte qëndruar, sepse shumë pak qëndrova, vetëm e dorëzova tek Drejtori i Policisë…Nuk është arrestuar, është vetëdorëzuar. Kam procesverbalin, kam shkuar unë tek zyra e Drejtorit, kam bërë negociatën dhe ka ardhur Drejtori e ka marrë në zonën e Delvinës.

ZYRTARE: KELMEND BALILI, PER ÇFARE AKUZOHET DHE PSE IU SEKUESTRUAN PRONAT NE 27 NENTOR 2017

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Policia e Shtetit ka regjistruar në datën 3 prill 2016 procedimin penal me nr.44 për trafikim lëndësh narkotike për grupin e njohur si ‘Balili’ me aktivitet kriminal kryesisht në jug të vendit.

Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.

Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka rregjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit “Balili”.

Mbi bazën e këtij materiali policor, bazuar në ligjin nr.10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafkimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masa parandaluese kundër pasurisë”, (i njohur si ligji “Antimafia”), Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosjen nën sekuestro të aseteve.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar më 27 nëntor 2017, vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:

  • ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’;
  • 28,690 m2 truall;
  • 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet.

Policia e Shtetit fton këdo që disponon të dhëna apo informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të personave të mësipërm apo lidhjeve të tyre të afërta, të telefonojnë në numrat falas 112 dhe 129, duke garantuar ruajtjen e anonimatit dhe goditjen e ashpër të elementëve anti-ligjore.

ME TE LEXUARAT