Infermieri i varfër i urgjencës në Tiranë

Soft

Nga Agim Xhafka

Pranë urgjencës së Tiranës ndodhet një bulmetore. U futa sot atje për të blerë qumësht, kos, gjalpë, djathë e salçiçe. Para meje një mesoburrë me përparëse të bardhë. E mora për doktor. Por që në nisje të bisedës nuk ishte në këtë profesion.

-Erdhe, o infermieri më i mirë i urgjencës! – i tha shitësja.
Dukej që njiheshin.
-Po, kemi 15 minuta pushimin e drekës.
-Të zakonshmen? – e pyeti ajo.
-Po, 30 lekë djathë të bardhë.
Pashë që thika shkoi tek tava me djathim më të lirë. Preu një copëzë. E peshoi,çmimi në peshore vajti 36 lekë.
-Jo aq, 30 lekë kam.
-Pa merak, të qiras unë, – ia ktheu shitësja.
-Mos e mbështill, – i tha infermieri.
Nxorri një gjysëm panine nga xhepi, e çau me duar, në mes futi djathin e nisi ta hante pa dalë ende nga dyqani.

Nuk m’u dhimbs, më emocionoi ky njeri kaq i varfër. I lidhur me atdheun pas një cope djathi? Jo,i bërë njësh nga dashuria për të, se ndryshe ja, dy orë larg është Gjermania. Që e pret me lule dhe euro. Por, ai rri çdo ditë në radhë të urgjencave dhe në radhë të djathit…
-Çfarë doni?- më pyeti mua shitësja.
Do blija plot gjëra, por nuk di pse i thashë thatë:
-Vetëm një shishe kos. Vetëm një…

ME TE LEXUARAT