16 vite i arratisur brenda Shqipërisë, kush ishte njeriu që nxorri bllof Enver Hoxhën

Aktualitet

Kastriot Dervishi/ Skënder Muharrem Noga, lindur në vitin 1913 në Borsh, me profesion agjent sanitar, mundi të jetë i arratisur brenda Shqipërisë për plot 16 vjet, duke thyer çdo rekord për personat në kërkim nga regjimi komunist. Asnjë “vigjilencë revolucionare” nuk mundi ta diktojë brenda në Tiranë. U arrestua më 17.9.1955 kur kërkoi të arratisej në Itali. Në çastin e kapjes iu gjet një nagant tip rus dhe disa shënime nxjerrë nga dëgjimi i radiove të Londrës e “Zërit të Amerikës”.

Për regjimin komunist ishte turp i madh që nuk e kishte gjetur për kaq vite. Për këto arsye gjyqi nuk u popullarizua. Ditën e arrestimit, hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB, nënkolonel Stavri Xhara, me miratimin e kryetarit të degës nënkolonel Nevzat Haznedarin e zëvendësdrejtorit të tij kolonel Rexhep Kolli dhe Vangjel Kocani (për prokurorin e përgjithshëm), vendos arrestimin e Skënder Muharrem Nogës, për akuza të pabaza të kohës së luftës (të gjitha trillime).

Pyetet në Tiranë nga hetuesit Stavri Xhara, Misto Shunda, Iljaz Haxhiaj. Shpjegon si kishte munduar të mos diktohej. Nga gjithë hetuesia nuk del asnjë akuzë për krime, por vetëm fakti i armëmbajtjes pa leje dhe tentativës për arratisje.

Sipas shpjegimeve që jep në hetuesi, në vitin 1938 ka shkuar në Kukës sepse atje ishte farmacist, vëllai i tij Kasem Noga. Ishte njohur me Muharrem Bajrakarin në vitin 1941, si dhe me 3 doktorë italianë. Deri në nëntor 1942 punon në sektorin e shëndetësisë në Kukës. Pushohet nga detyra, shkon në Prizren, e më tej në Gjilan ku qëndron deri në gusht 1943, duke punuar në spitalin e atyshëm. Rikthehet në Lumë ku bashkohet me Muharrem Bajraktarin e më në fund, më 25 gusht 1944 në Tiranë. Nga të afërmit e tij, gjermanët i kishin arrestuar vëllanë farmacist dhe një kushëri, Telat Nogën, i cili më vonë kishte vdekur në kampet e përqendrimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kur bëhej lufta e Tiranës, tetor-nëntor 1944 ka qëndruar në shtëpitë e Sulo Begës, Beqir Haçit dhe të arratisurit Qani Lesko. Nga dhjetori 1944 deri ditën e arrestimit qëndroi në shtëpinë e Tafil Shalarit, me vdekjes e të cilit në vitin 1946, për të kujdeset e motra e tij, Tahire Shalari, gruaja e ish kapitenit të arratisur në SHBA, Kamber Prodës. Kishin dijeni për ndodhjen e tij vetëm vëllai Kasem Noga, askush tjetër. Në shtëpinë ku ishte strehuar, kohë pas kohe shkonin për vizita oficerët e MPB-së, Hariz Shalari, Aliko Shalari, Xhelal Shalari, Daut Shalari, Gani Hasko, por askush nuk e kuptoi se aty fshihej i shumëkërkuari prej regjimit.

Nuk pranon akuzat për arrestime gjatë luftës dhe se ka qenë bashkëpunëtor i Xhelal Staraveckës, të cilat rezultojnë false. Pranon që është zënë me Muhamet Gjolleshën (kur është ndodhur një ditë në Tiranë) në kafen e Mahmut Totos në pazarin e vjetër, duke u shprehur kështu:

“Ne u zumë pse i thashë se Tito, juve, d.m.th. partisë komuniste, ua ka me hile. Muhameti kërceu përpjetë e tha: ‘jo, s’është e vërtetë, ne kemi qëllim të përbashkët, këto janë shpifje’. Pastaj fjalët u egërsuan, duke qenë i dehur, tentova të nxjerr pistoletën për ta qëlluar, por shokët më mbajtën e kështu u ndamë”.

Nuk pranon kurrsesi se pas kësaj ngjarjeje ka denoncuar Muhamet Gjolleshën te Xhelal Staravecka, gjermanët, apo të kishte lidhje kjo me varjen e tij. Thotë se qëndroi në ilegalitet sepse nga babai ishte njoftuar se komunistët e kishin dënuar me vdekje.

Çështja e Skënder Nogës u gjykua me dyer të mbyllura nga Kolegji Ushtarak i Tiranës i përbërë nga nënkolonel Mustafa Qilimi, e ndihmësgjyqtarët major Tahmas Beqari e kapiten Niko Paskali, duke pasur pranë zëvendësprokurorin e përgjithshëm nënkolonel Vangjel Kocani. Regjimi nuk donte ta bënte ngjarjen të njohur sepse 16 vitet e ilegalitetit në Tiranë nuk dinte si t’i shpjegonte përpara popullit. Noga u mbrojt në gjyq nga avokatja Vera Bogdo. Me vendimin nr.78, datë 7.5.1956, gjykata e deklaroi fajtor pa iu provuar asnjë akuzë në bazë të nenit 82 (krime lufte), 64 (tradhtia ndaj atdheut në tentativë), 72 (agjitacionit e propagandës) dhe 227 (armëmbajtjes pa leje) dhe e dënoi me vdekje, pushkatim e konfiskimin e pasurisë

ME TE LEXUARAT