Protestat masive zbrapsin Ramën e plotësojnë “ëndrrën” e madhe për karten e studentit

Aktualitet

Pas protestave masive të studentëve qeveria ka vendosur që të përgatisë një projektvendim për Kartën e Studentit, e cila ofron lehtësi për atë që ndjekin shkollën e lartë.

Vendimi u mundëson studentëve që përmes kartës së studentit të përfitojnë strehim social, kurse të formimit profesional, kurim falas, pagesë për sigurimet shëndetësore, transport me çmime të reduktuara si dhe një sërë shërbimesh të tjera publike, por edhe private me lehtësi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

‘Ky vendim përcakton kategorinë e shërbimeve, të ofruara nga entet shtetërore, të cilat përfitohen përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik, me anë të së cilës studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara,’ thuhet në vendimin e qeverisë.

Në shtojcën bashkangjitur vendimit qeveria ka listuar shërbimet e kulturës si hyrjet në biblioteka, teatër, muze apo parqe me çmime të ulura. Po kështu në fushën e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale studentët do të përfitojnë kurim falas, përjashtim ose reduktim nga pagesat e drejtpërdrejta për ilaçet, strehim social si dhe regjistrim në çerdhe dhe kopshte me tarifë të reduktuar për fëmijët.

Qeveria nuk ka përcaktuar në vendim se sa ulje përfitojnë studentët për shërbimet që do të marrin me tarifa të reduktuara. Por sipas vendimit, përveç shërbimeve publike, studentët mund të përfitojnë falas edhe shërbime që ofrohen nga privatët.

‘Mbajtësit e Kartës së Studentit, përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera që kanë objekt të tyre interesa studentore, si dhe nga persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura konform përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi,’ thuhet në vendim.

Karta e studentit është një premtim që qeveria e ka bërë që në ditët e para të ardhjes në pushtet. Por për 5 vite me radhë, ky mbeti një premtim në letër pa u realizuar asnjëherë. Vetëm pas protestave masive të studentëve gjatë ditëve të fundit, qeveria duket se është detyruar të hartojë me urgjencë projektvendimin që miraton kartën e studentit dhe lehtësitë që ajo ofron për këtë kategori.

PROJEKTVENDIM

Nr._____, datë__________

PËR KATEGORITË E SHËRBIMEVE, TË OFRUARA NGA ENTET SHTETËRORE, TË CILAT PËRFITOHEN PËRMES PËRDORIMIT TË KARTËS SË STUDENTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pikës 4, të nenit 100 të Ligjit 80/2015 ‘Për arsimin e lartë dhe kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e kategorisë së shërbimeve, të ofruara nga entet shtetërore, të cilat përfitohen përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik, me anë të së cilës studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara, sipas kategorive të shërbimeve të listuara në shtojcën nr. 1 bashkëlidhur këtij vendimi.

Karta e studentit bëhet pjesë e projektit të Kartës Europiane të Studentit dhe lëshohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Shërbimet e ofruara për mbajtësit e kartës së studentit në Republikën e Shqipërisë përfitohen dhe nga të gjithë mbajtësit e Kartës Europiane të Studentit me shtetësi të huaj.

Mbajtësit e Kartës së Studentit, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij vendimi, përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera që kanë objekt të tyre interesa studentore, si dhe nga persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura konform përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.

Marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara, sipas pikës 1 dhe 3 të këtij vendimi, lidhen në rang kombëtar, për të gjithë mbajtësit e kartës të parashikuar në pikën 2, nga ministria përgjegjëse për arsimin ose Qendra e Shërbimeve Arsimore. Institucioni i arsimit të lartë mund të lidhë dhe marrëveshje të tjera, veç atyre në rang kombëtar, të cilat parashikojnë shërbime me çmime të reduktuara specifike për studentët e tij, mbajtës të kartës së studentit.

Shpenzimet për prodhimin dhe lëshimin e Kartës së Studentit do të përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Procedurat ligjore për lëshimin e kartës do të kryhen nga QSHA.

Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit sipas pikës 1 të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe/ose entet shtetërore që ofrojnë shërbimin me cmim të reduktuar, sipas marrëveshjeve specifike të lidhura mes palëve. Për marrëveshjet e lidhura sipas pikës 3 të këtij vendimi, efektet financiare do të mbulohet nga enti ofrues i shërbimit.

Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin, entet publike që ofrojnë shërbimet, Qendra e Shërbimeve Arsimore, si dhe Institucionet e Arsimit të Lartë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren zyrtare’.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

SHTOJCA NR.1

Lista e kategorive të shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore

Shërbimet në fushën e Kulturës:

Hyrje në biblioteka, muze, galeri arti, parqe arkeologjike dhe monumente të kulturës,

Hyrje në teatër dhe shfaqje artistike,

Shërbimet në fushën e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Shërbime shëndetësore pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, të paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit spitalor që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,

Përjashtim/reduktim nga pagesat e drejtpërdrejta, për alternativat e para të barnave të listës së barnave të rimbursueshme.

Sigurim shëndetësor,

Regjistrim në çerdhe dhe kopshte për fëmijët e studentëve,

Strehim social,

Shërbimet në fushën e Arsimit, Sportit dhe Rinisë:

Hyrje në stadiume, pallate sporti, palestra dhe aktivitete sportive,

Shërbimet në fushën e Transportit:

Transport publik i të gjitha llojeve, përfshirë dhe transportin ajror,

Kurse dhe lëshim patentash dhe dokumentash të tjera të ngjashme,

Shërbime në fushën e Turizmit dhe Mjedisit:

Hyrje në shtëpitë e pushimit,

Hyrje në zonat e mbrojtura,

Shërbime në fushën e Ekonomisë, Financave, Punësimit dhe Trajnimit

Kredi bankare,

Kurse të formimit profesional,

Shërbime në fushën e marrëdhënieve me jashtë,

Shërbime konsullore, marrje e vulës apostile, lëshim pashaporte,

Shërbime në fushën e drejtësisë

Certifikata të gjendjes gjyqësore, shërbime noterie dhe përkthimi.

ME TE LEXUARAT