Protestat masive të studentëve, qeveria harton një projektvendim për një nga kërkesat

Politikë

Pas protestave masive të studentëve qeveria ka vendosur që të përgatisë një projektvendim për Kartën e Studentit, e cila ofron lehtësi për atë që ndjekin shkollën e lartë.

Vendimi u mundëson studentëve që përmes kartës së studentit të përfitojnë strehim social, kurse të formimit profesional, kurim falas, pagesë për sigurimet shëndetësore, transport me çmime të reduktuara si dhe një sërë shërbimesh të tjera publike, por edhe private me lehtësi.

‘Ky vendim përcakton kategorinë e shërbimeve, të ofruara nga entet shtetërore, të cilat përfitohen përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik, me anë të së cilës studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara,’ thuhet në vendimin e qeverisë.

Në shtojcën bashkangjitur vendimit qeveria ka listuar shërbimet e kulturës si hyrjet në biblioteka, teatër, muze apo parqe me çmime të ulura. Po kështu në fushën e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale studentët do të përfitojnë kurim falas, përjashtim ose reduktim nga pagesat e drejtpërdrejta për ilaçet, strehim social si dhe regjistrim në çerdhe dhe kopshte me tarifë të reduktuar për fëmijët.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Qeveria nuk ka përcaktuar në vendim se sa ulje përfitojnë studentët për shërbimet që do të marrin me tarifa të reduktuara. Por sipas vendimit, përveç shërbimeve publike, studentët mund të përfitojnë falas edhe shërbime që ofrohen nga privatët.

‘Mbajtësit e Kartës së Studentit, përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera që kanë objekt të tyre interesa studentore, si dhe nga persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura konform përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi,’ thuhet në vendim.

Karta e studentit është një premtim që qeveria e ka bërë që në ditët e para të ardhjes në pushtet. Por për 5 vite me radhë, ky mbeti një premtim në letër pa u realizuar asnjëherë. Vetëm pas protestave masive të studentëve gjatë ditëve të fundit, qeveria duket se është detyruar të hartojë me urgjencë projektvendimin që miraton kartën e studentit dhe lehtësitë që ajo ofron për këtë kategori.

ME TE LEXUARAT