Meta: Ja pse e përzgjodha Vitore Tushën për kreun e ri të KLSH

Kliko per me shume info

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, në televizionin “A2 News”, ka sqaruar arsyet pse përzgjodhi zonjën Vitore Tusha si kandidate për postin e Kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas kreut të shtetit, Tusha nuk ka asnjë lidhje me mosfunksionimin aktual të KED-së, ndërsa ka shtuar se ka bërë një përzgjedhje shumë të mirë duke renditur edhe arsyet që sipas tij janë “për shkak të eksperiencës, përvojës, ‘vetting’-ut që kjo zonjë e ka kaluar dhe për shkak se asnjëherë s’ka pasur angazhim të njëanshëm politik, partiak, administrativ, e me radhë”, – është shprehur Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

Kliko per me shume info

Gazetari: Kam përshtypjen që ngërçi nuk është vetëm për KED-në por është për të gjitha institucionet e drejtësisë. Ju keni propozuar zonjën Vitore Tusha për postin e Kryetarit të KLSH-së, por zonja Tusha është gjithashtu dhe kandidate për KED…

Presidenti Meta: Nuk kemi të bëjmë me një ngërç në rastin konkret, kemi të bëjmë me keqinterpretim të një situate, ku zonja Tusha nuk ka asnjë lidhje me mosfunksionimin e KED-së deri tani. Kjo është një përgjegjësi e dikujt tjetër apo e aktorëve të tjerë, të cilët duhet ta kishin mbledhur KED-në , por dhe duhet ta kishin vënë në lëvizje për të përmbushur detyrimet e saj, që nga çështja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe institucioneve të tjera, për të cilat ajo ka përgjegjësi. Mund t’ju sqaroj, që zonjës Tusha i ka përfunduar mandati që në mars 2017. Ajo në çdo moment mund të ishte larguar siç kanë zgjedhur dhe kolegë të caktuar të saj, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por nuk e ka bërë këtë gjë për përgjegjësi të saj. Ashtu sikurse mund të ishte larguar edhe për t’iu shmangur procesit të ‘vetting’-ut, që ajo e ka realizuar në mënyrë tepër të suksesshme, pa asnjë kontestim. Zonja Tusha nuk ka të drejtë as të marrë një mandat të dytë për anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për KED-në në çdo rast.

Gazetari: Propozimin tuaj për zonjën Tusha, si e shihni?

Presidenti Meta: Propozimi im mendoj ka qenë më i miri i mundshëm për të gjitha arsyet që kanë të bëjnë me kriteret sipas vlerësimit tim, që duhet të ketë një drejtues i KLSH-së në këtë situatë që e forcon pavarësinë e këtij institucioni. Mos harrojmë që ky është institucioni që bën auditimin e institucioneve të tjera publike në vend dhe zonja Tusha e ka kaluar ‘vetting’-un e saj me sukses.

Gazetari: Si do të jetë fati i propozimit të Presidentit?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një përgjegjësi e Presidentit. Presidenti ka përgjegjësi për përzgjedhjen. Mendoj që përzgjedhja është shumë e mirë, për të gjithë këto elementë që unë i thashë; për shkak të eksperiencës, përvojës, ‘vetting’-ut që kjo zonjë e ka kaluar dhe për shkak se asnjëherë s’ka pasur angazhim të njëanshëm politik, partiak, administrativ, e me radhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.