Kamza "shtet brenda shtetit", autobusët nuk njohin librezën e jetimit

Aktualitet

Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora News solli mbrëmjen e sotme denoncimin e një zotërie, i cili kujdeset për pesë fëmijë jetimë të të vëllait, të cilët nuk kanë as nënën.

Tre prej tyre kanë përfituar statusin e jetimit nga i cili përfitojnë një pagesë mujore dhe udhëtim falas në linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Dhe problemi për të cilin ankohet zotëria janë pikërisht autobusët e Kamzës, të cilët nuk njohin librezën. E kundërta ndodh në Durrës dhe Tiranë.

Xhaxhai i fëmijëve tregon se jo në pak raste mbesën jetime ja kanë zbritur nga autobusi pse e ka nxjerrë këtë librezë.

Denoncimi: Kam një problem me fëmijët e vëllait.I ka lënë 5 fëmijë vëllai jetim dhe e ëma ju ka vdekur.Nga ata të 5 -të, 3 morën statusin e jetimit. Këto nga statusi i jetimit përfitonin 30 mijë lekë në muaj dhe abonimin falas në linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase.

Neni 10 i ligjit për statusin e jetimit thotë: Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror e privat qytetas si dhe ndërqytetas i jetimëve që s`janë në marrëdhënie punë, bëhet falas. Libreza është e vlefshme deri në 27.05.2021.

Kjo goca për të cilën bëhet fjalë është banore e Kamzës. Këtu në Tiranë ja njohin këtë, s`ka pas problem fare, biles ka shkuar dhe në Durrës ka pas raste, edhe me autobusët urban të Durrësit s`i kanë thenë gjë. Kamza nuk ja pranon.Madje ka pas raste kërcënimi atje brenda në autobus , duke i thënë po të pashë dhe njëherë me këtë, kam për ta grisur.

Vetëm dorën në kokë t`u vësh jetimëve është boll, jo t`i përbuzësh.Kjo është shtetërore, ja ka dhënë shteti, false nuk është, atëherë pse nuk respektohet nga Kamza. Bile njëri në Kamëz, kam qenë prezent, i ka thënë gocës: Ne jemi qeveri më vete, nuk duam ta njohim.

Si ka mundësi, shtet brenda shtetit? Prandaj kërkova ndihmën tuaj që të bëjmë diçka, po ka mundësi. Brenda rregullave, nuk kërkoj gjë jashtë rregullave.

Çfarë thotë ligji

Në Ligjin Nr.8153, datë 31.10.1996 “Për statusin e jetimit” në nenin 10 përcaktohet:“Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror a privat qytetas, si dhe ndërqytetas i jetimëve, që nuk janë në marrëdhënie pune bëhet falas. Këtë nen e ka të shkruar çdo jetim që ka këtë status në librezën e identitetit me të cilën e ka pajisur Shërbimi Social Shtetëror.

"BOOM" dokumenton shkeljen ligjore

Për ta vërtetuar denoncimin, "BOOM" vëzhgoi vajzën në udhëtimet e saj në disa prej autobusëve urbanë që qarkullojnë në linjën e Kamzës.

Urbani 1

Vajza jetime: Librezë, hape shife.

Fatorino: Nuk e njoh. Librezë identiteti, nuk e njoh.

Vajza jetime: Pse?

Fatorino: Nuk e njohim, pse shko pyet atje...

Xhaxhai: Librezë jetimi?

Fatorino:Unë po them nuk ma njeh kush mo burrë.

Xhaxhai: Po si ka mundësi vetëm Kamza nuk e njeh?

Fatorino:Po shko mor burrë pyet Kamzën . Shko në Bashki e pyet mor burrë tashi.

Urbani 2

Fatorino: Unë kam një rregullore. Në bazë të kësaj rregulloreje unë eci. Kjo librezë nuk është e shkruajtur.

Xhaxhai:Nuk njihet nga ana juaj?

Fatorino: Jo.Në linjë të Kamzës nuk njihet.

Xhaxhai:Pse Kamza ça është, republikë më vete?

Fatorino:Ashtu i ka vënë ministria xhaxh.

Xhaxhai: Ministria? Po ministria e ka dhënë dhe këtë. Këto libreza që janë këtu i ka lëshuar ministria.

Vajza jetime: Unë me këtë kam ecur gjithandej.

Fatorino: Ore e di edhe unë që ke ecur, në të tëra linjat ecën, Kamza jo.

Urbani 3

Xhaxhai:Me të drejtë, a njihet a jo?

Fatorino:Jo, me Kamzën jo.Prandaj e pashë dhe nuk i bëra zë.

Xhaxhai:A s`njihet me Kamzën?

Fatorino:Jo.

Vajza paguan lekët.

Bashkia Kamëz thotë se ligji nuk është i qartë

Emisioni BOOM ju drejtua zyrtarisht me një kërkesë dhe Bashkisë së Kamzës, për ta pyetur në lidhje me licensimin e linjave të cilat në bazë të kriterit të përcaktuar në statusin e jetimit, duhet ti lejojnë këta të fundit të udhëtojnë falas në rast se janë të papunë.

Bashkia Kamëz pranon që subjektet që licencohen nga ana e saj në shërbimin e transportit mbajnë përgjegjësi për zbatimin e ligjeve që krijojnë lehtësi për këto shtresa, por nga ana tjetër thotë se edhe legjislacioni nuk është i plotë.

Në kthimin e përgjigjes ky institucion sqaron: Bashkia Kamëz, me vendim të këshillit bashkiak, është miratuar studimi i transportit publik urban i rrjetit të linjave.Sot kemi shërbimin me 5 linja rrethqytetëse dhe 3 linja qytetëse.Në dispozitën e përgjithshmë të udhëzimit numër 5627 për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për lëshimin e licencave dhe e certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit, kërkohet që shoqëritë e transportit publik, mbajtës të licencës dhe certifikatës për kryerjen e shërbimeve të rregullta qytetëse , rrethqytetëse dhe ndërqytetëse të transportit të udhëtarëve brenda vendit , mbajnë përgjegjësi për zbatimin e ligjeve me numër 9089/96 dhe numër 8153/96 të ndryshuar ;"Të verbërit dhe shoqëruesit e tyre dhe jetimët që nuk janë në marrëdhënie pune, udhëtojnë falas.

Për transportin rrethqytetas përcaktohet: Të verbërit dhe shoqërusit e tyre dhe jetimët që nuk janë në marrëdhënie pune, udhëtojnë falas.

Theksojmë që legjislacioni shqiptar rregullon plotësisht të drejtat vetëm për invalidët e punës dhe të luftës ndërsa për invalidët paraplegjik dhe tetraplegjik, të verbërit dhe jetimët, nuk kemi një legjislacion të plotë për trajtimin e tyre.

Jemi në dispozicion dhe të obliguar që të kryehet përkujdesja dhe transporti me përparësi, kundrejt të gjitha lehtësirave që jep ligji për të gjithë personat që i pëfitojnë këto lehtësi me linja të rregullta të transportit publik urban pranë Bashkisë Kamëz.

Ilir Çumani: Shkelësit e ligjit do ti denoncojmë

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, thotë se rastin e referuar nga BOOM do ta ndjekë dhe shkelësit e këtij ligji do të denoncohen pranë Komisionerit kundër Diskriminimit, Ministrisë së Transportit dhe bashkisë Kamëz.

Ilir Çumani: Të gjithë fëmijët apo të rinjtë jetim që kanë fituar këtë status, përfitojnë shërbimin falas , urban, interurban, kur ata nuk janë në marrëdhënie pune. Kështu që ky ligj është i detyrueshëm për t`u zbatuar nga të gjitha entet shtetërore apo private, të cilët përballen me një dokument të tillë nga dokumentmbajtësi, që janë jetimët me status dhe në bazë të këtij dokumenti ata janë të detyruar t`i përgjigjen këtij paragrafi gjatë kohës që ata janë duke udhëtuar.

Për shkelësit e këtij ligji, ka sanksione sigurisht, por që duhen kërkuar në rrugë ligjore. Sepse ekziston sot një Komisioner kundër Diskriminimit dhe personat që shfaqin në mënyrë të hapur kundërshti të zbatimit të këtij ligji, të identifikohen, të denoncohen dhe të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.

Këto janë ente private që varen nga bashkia, dhe bashkia padyshim që e ka vënë në dijeni këtë subjekt që të gjithë individët që kanë status të veçantë, duhet të respektohen dhe t`u shërbehet falas.

Ne do ta ndjekim këtë rast pa diskutim, në ministrinë e transportit në bashkinë që mbulon këtë sektor , ndoshta bashki e Kamzës, do flas me kryetarin e bashkisë ku qëndron puna, pse punonjësit e këtij shërbimi refuzojnë të respektojnë këtë ligj.

Në lidhje me këtë rast, BOOM pyeti dhe Shërbimin Social Shtetëror që lëshon këto libreza me statusin e jetimit, por si përgjigje ky institucion referoi vetëm ligjin, duke thënë se janë institucionet e tjera ato që ndjekin zbatimin.

https://www.youtube.com/watch?v=Ub-eSEIMsgo

ME TE LEXUARAT