Takimi Rama-Meta, provë force mes Presidencës e Qeverisë

Aktualitet

Provë force në Shqipëri mes Presidentit Ilir Meta dhe Qeverisë, për çështjen e emërimit të ministrit të ri të Brendshëm. Ndërsa zoti Meta njoftoi përmes një njoftimi të shkurtër të shtunën në mbrëmjes se “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij, se në grup, është rënë dakort që Parlamenti të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa drejtimi i ministrisë do t’i besohet sërish zotit Sandër Lleshi, por në cilësinë e një zëvendës ministri.

Zoti Meta dhe kryeministri Rama patën dje një takim të gjatë. "Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës.", shpjegonte njoftimi i zyrës së Kryeministrit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por mesa duket, komunikimi është tashmë i ndërprerë. Vendimi për të ecur përpara me emërimin e zotit Lleshi si zëvendës ministër, është një shenjë e qartë. Nga ana e tij dhe Presidenti Meta pati një reagim me tone të ashpra. Ndërsa përmes zëdhënësit të tij, Kreu i Shtetit shprehet se “konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet”, thekson se “nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

Zëdhënësi thekson se “Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes”, ndërsa shton se “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë".

Pozicioni i marrë nga zoti Meta për rastin e emërimit të ministrit të ri të Brendshëm ka hapur një konflikt kushtetues dhe një precedent të parregjistruar më parë. Kushtetuta parashikon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”, duke mos lënë hapësira për një ndërhyrje të Kreut të Shtetit. Kushtetuta përcakton se “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”. Në të vërtetë ai firmosi dekretin për shkarkimin e ish ministrit të dorëhequr Fatmir Xhafaj, duke ju referuar dhe bazës ligjore. Ndërsa në rastin e zotit Lleshi ende nuk ka një vendim të motivuar zyrtarisht. Në faqen e Presidencës së Republikës nuk gjendet një dekret për mos miratimin e propozimit të kryeministrit, madje as njoftimi i shpërndarë nga zëdhënësi të shtunën në mbrëmjes, i cili flet vetëm për “mungesën e bindjes” nga ana e Presidentit, dhe jo për bazën ligjore ku ai është mbështetur. Sikundër mbeten ende të paqarta arsyet për refuzimin e kandidaturës së zotit Lleshi.

Gjatë një interviste të premten në mbrëmje, zoti Meta theksoi se “Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri”. Por precedentët flasin kundër qëndrimit të tij. Vitin e shkuar, ish presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë./ VOA

ME TE LEXUARAT