May zotohet se do të luftojë për planin e saj të Brexitit

Bota

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë në një konferencë për media se pavarësisht vendimeve të vështira, një draft marrëveshje për Brexitin, e cila tashmë ka marrë miratimin e kabinetit të saj do të mbrojë vendet e punës dhe sigurinë.

Duke përmendur përgjegjësinë e madhe që ka në procesin e Brexitit, May ka thënë se qëllimi i saj është që të vendosë interesin kombëtar në rend të parë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Besoj me gjithë qenien time se rruga që kam zgjedhur është e drejta për shtetin dhe popullinë tonë”, ka thënë May.

Sipas saj pavarësisht disa dorëheqjeve pas miratimit të draftit të parë për Brexit ajo beson në planin e saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Komentet e saj kanë ardhur pasi vetëm 12 orë pasi ajo ka njoftuar se kabineti i saj është pajtuar në paktin për Brexit, ministri për Brexit, Dominic Raab dhe ministrja për Punë dhe Pensione, Esther McVey kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre, shkruan Radio Evropa e Lirë,

Kryeministrja May tani ka nevojë për votën e 320 ligjëvënësve në parlamentin prej 650 ulëseve për të miratuar marrëveshjen.

E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë mundësi të organizimit të referendumit të dytë, ajo ka thënë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, sepse sipas saj populli tanimë ka treguar dëshirën e tyre në referendumin e parë.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.

Britania pritet të largohet nga blloku evropian në mars të vitit 2019.

ME TE LEXUARAT