Prag skandali, kontrolli i pompave të pikave të karburantit i hiqet shtetit, i jepet privatit

Aktualitet

Dy herë në vit përgjatë dekadës së fundit, Drejtoria e Metrologjisë kryen kontrollin e pompave të naftës dhe të gazit të lëngshëm-shërbim ky që synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet me sasinë e karburantit.

Por një vendim i Këshillit të Ministrave, i pasuar nga një tender i shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka hapur rrugën dhënies së këtij shërbimi me koncesion, një vendim që ka ngritur hije dyshimi mbi cënimin e interesit publik dhe një garë të paracaktuar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Zanafilla e projektit koncesionar nisi në dhjetor 2016 me një propozim të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve. Një vit e gjysmë pas propozimit, kompania private u shpërblye me bonus prej 10 pikësh, një praktikë tashmë rutinë e qeverisë Rama me referencë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

Kontrolli ligjor i instrumenteve shpërndarëse të karburantit është një ndër aktivitetet kryesore që i ka mbetur Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë në Shqipëri dhe arkëton çdo vit rreth 80 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta japë atë me koncesion në këmbim të një investimi dysheme prej vetëm 64.8 milionë lekësh për një periudhë 20-vjeçare.

Drejtoria e Metrologjisë është anëtare e një rrjeti organizatash ndërkombëtare në fushën e matjeve, të cilat kanë investuar ndër vite në përafrimin e legjislacionit, trajnimin e stafit dhe rritjen e kapaciteve teknike. Vetëm për kontrollin e shpërndarësve të karburanteve, ky institucion zotëron shtatë laboratorë të lëvizshëm me vlerë mbi 73 milionë lekë dhe një staf të kualifikuar.

Zëri i Amerikës iu drejtua Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të sqaruar arsyet se pse një shërbim i investuar ndër vite po jepet me koncesion, por nuk mori asnjë përgjigje. Edhe drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Petrit Rama nuk pranoi të komentonte.

Projekti koncesionar është pritur me kundërshti nga operatorët e tregut të karburanteve, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të biznesit apo ato në mbrojtje të konsumatorit kontestojnë mungesën e transparencës, të një strategjie të qartë të qeverisë si dhe rrezikun për kosto shtesë në çmimin fundor të naftës.

Gjergj Buxhuku, përfaqësues i organizatës Konfindustria i tha Zërit të Amerikës se në kushtet e mungesës së një studimi fizibiliteti, paqartësia e qeverisë mund të lërë hapësira për abuzime.

“Problemi i parë në këtë rast është që ne nuk e dimë se cili do të jetë përfitimi dhe cila është realisht leverdia e dhënies me koncesion. E dyta; ti po e jep në dorë të një privati një të drejtë që praktikisht i takon shtetit. I bie që edhe nëse ka pasur një frikë minimale, nesër mund të mos ketë fare. Është një absurditet,” tha Buxhuku.

Ndërsa Gjergj Bojaxhi, ish-zv.ministër Ekonomie dhe aksioner i një kompanie brokerimi në fushën e hidrokarbureve thotë se mungesa e transparencës dhe e një strategjie të prezantuar shqetëson si konsumatorët, ashtu edhe operatorët privatë.

“Ky është një shërbim që jepet për vite të tëra nga institucionet shtetërore, nuk ka pasur ankesa, është një aktivitet me fitim dhe jo me humbje,” tha Bojaxhiu për Zërin e Amerikës.

“Fakti që ne përfundojmë duke e dhënë këtë shërbim fitimprurës një kompanie private që nuk do të paguajë lekë në buxhetin e shtetit, që investimi do të jetë minimal dhe fitimi i sigurtë, na bën të mendojmë se kjo është një praktikë ose politikë sektoriale, që nuk është në interes të konsumatorëve dhe as të buxhetit, por një praktikë në interes të disa segmenteve mbase nepotike të biznesit.

Në dokumentet e shpallura bashkë me tenderin më 18 shtator, Ministria e Financave dhe Ekonomisë citon standardet europiane si një ndër arsyet e koncesionit, por përjashton kompanitë e huaja të marrin pjesë në garë.

Një ndër kushtet kryesore është pasja e një certifikate akreditimi shqiptare, ndonëse certifikatat e lëshuara nga trupat europiane të akreditimit njihen në Shqipëri dhe jo e kundërta. Kriteri i dytë kualifikues është eksperienca 3-vjeçare në punë të ngjashme në fushën e inspektimit, e cila duket gjithashtu “e qepur” në masën e kompanisë propozuese.

“Noa Control” është themeluar në prill të vitit 2015 nga aksioneri i vetëm Gentian Sula dhe vepron si partnere në Shqipëri e kompanisë spanjolle Applus.

Përgjatë tre viteve të operimit të saj, Noa Control ka arritur të sigurojë një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për kontrollin e matësave të ujit, është organ i miratuar nga ministri i Transporteve dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri për kontrollin e rezervuarëve të gazit dhe në fillim të vitit u bë kompania e vetme shqiptare e autorizuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj për kontrollin teknik të ashensorëve.

Duke pretenduar për garë diskriminuese, një kompani me bazë në Zvicër e quajtur Penzoil Trading u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik. Në fillim të tetorit, ky Komision pezulloi tenderin dhe kërkoi shpjegime shtesë nga Ministria e Financave.

Kompania Penzoil Trading i tha Zërit të Amerikës përmes një emaili se tenderi shfaq aspekte diskriminuese për kompanitë e interesuara, veçanërisht ato të huaja. Sipas saj, ankesa ka për qëllim ta vendosë tenderin në baza më të barabarta.

Kompania “Noa Control” nuk iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës. Përfaqësues të saj thanë se “reagimet në këtë moment dëmtojnë interesat e kompanisë në procedurat e tenderit, përsa kohë që gara është e hapur dhe ka një proces pezullimi nga Komisioni i Prokurimit Publik”.

Kontraditat në tenderin e shpallur nga Ministria e Financave janë nxjerrë në pah edhe nga Confindustria Albania, një shoqatë që përfaqëson një grup industrialistësh italianë në Shqipëri. Përmes një deklarate për shtyp, shoqata Confindustria Albania denoncoi shmangien e detyrimit ligjor për konsultime me publikun dhe grupet e interesit si dhe përjashtimin e kompanive të huaja nga konkurrenca përmes kriterit për akreditimin.

Confindustria Albania i mëshoi qëndrimit se dhënia me koncesion e një shërbimi të tillë do të përkeqësonte klimën e biznesit si dhe do të shkaktonte një kosto mbi çmimin e karburantit.

Ministria e Financave, sipas dokumenteve të publikuara të tenderit nuk i ka mbyllur shtigjet për këtë rrezik. Aktualisht, operatorët janë të detyruar të kryejnë dy herë në vit verifikimin e pompave të karburanteve dhe paguajnë si tarifë 14 mijë lekë. Por projekti lë të hapur mundësinë që numri i verifikimeve periodike të detyrueshme në vit të ndryshojë në varësi të dakordësisë mes Ministrisë dhe koncesionarit.

Projekti koncesionar i kontrollit të pajisjeve në karburante nuk është i vetmi në këtë sektor. Në fillim të vitit 2013, qeveria e drejtuar nga Berisha firmosi koncesionin e markimit, tarifë e transferuar kjo në çmimin fundor të karburantit.

Ekspertët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës argumentojnë se Shqipëria ka sot çmimin më të lartë të karburantit në rajon dhe një rritje tjetër e mundshme rrezikon ta çojë ekonominë në kolaps.

“Është e disata herë që qeveria i rrit taksat në sektorin e karburanteve dhe sot Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve vetëm për shkak të taksimit,” tha Bojaxhi për Zërin e Amerikës.

Buxhuku i shoqatës Konfindustria bie dakord.

“Shqipëria dihet që ka çmimin më të lartë të kaburantit në Europë, ka cilësinë më të keqe të karburantit, që është kosto shumë e lartë se edhe vetë çmimi dhe tentohet të shtohet edhe më shumë shumë ky çmim. Rrezikojmë që ekonomia shqiptare të asfiksohet pikërisht nga çmimi i karburantit,” përfundoi ai.

ME TE LEXUARAT