Detaje/ Zbardhet dëshmia e Alizotit: Babalja më premtoi 100 mijë euro për të imituar Xhafajn!

Fredi Alizoti ka dhënë ditën e sotme dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kliko per me shume info

Ai ka deklaruar se Albert Veliu “Babalja” i kishte premtuar 100 mijë euro për të imituar vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Alizoti është shprehur se videoja e dytë ku ai përfshinte edhe emrin e drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla, është realizuar pas datës 1 qershor në një lokal pranë selisë së Partisë Demokratike.

Ai ka deklaruar se personi që ka realizuar bisedën në këtë video është Florenc Hoxha.

ALIZOTI U VU NËN PËRGJIM

Krimet e Rënda thonë se shtetasi Fredi Alizotaj ka qenë në përgjim për nevoja të hetimeve, me Vendimin e Prokurorit të datës 22.05.2018, të vleftësuar me vendimin e Gjykatës Nr. 457 datë 24.05.2018, pra disa ditë para se të komunikonte me sallën operative të policisë Fier dhe të pyetej nga prokuroria.

“Kjo për shkak se gjatë përgjimit të bisedave telefonike të shtetasit Albert Veliu ka rezultuar si personi që ka komunikuar me të disa herë i shqetësuar dukë bërë biseda, për të cilat ka patur të dhëna gjatë përgjimit për përfshirjen e tij bashkë me shtetasin Albert Veliu në realizimin e audio përgjimit”.

ÇFARË DEKLAROI FREDI ALIZOTI

Organi i akuzës thotë se Fredi Alizoti i pyetur në datë 01.06.2018, ka deklaruar që rreth orës 16:00, të datës 01.06.2018, kishte kërkuar të komunikonte me Drejtorin e Policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte.

Më pas ka kontaktuar me Drejtorin, i cili e ka orientuar që të jepte deklarime në Prokurorinë për Krime të Rënda.

“Ky shtetas ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve Tetor – Nëntor të vitit 2017, ai i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte. I kishte ofruar që të bënin një regjistrim dhe shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj.

Për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200.000 euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100.000 euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte zëri i tij. Babalja deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lek”.

Në këtë moment, thotë Prokuroria, është ndërprerë pyetja e këtij shtetasi pasi po jepte të dhëna për inkriminim në ngarkim të tij dhe është paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvilloheshin hetime ndaj tij dhe është ftuar të caktojë një mbrojtës.

“Deklaruesi ka kërkuar të japë shpjegime pa praninë e mbrojtësit duke theksuar se u qëndronte deklarimeve, por më të detajuara do t’i jepte një ditë tjetër. I janë marrë dhe modele zëri këtij shtetasi në prani të ekspertit kriminalist. Është kqyrur dhe libri i njoftimeve të Sallës Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku provohet komunikimi që ka patur ky shtetas me specialistin e Sallës Operative”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.