“Shullazi”, gazetari Vezaj: Prokurori i larguar u kërcënua nga një personazh i njohur

Aktualitet

Përmes një lidhje telefonike nga SHBA-ja, gazetari Flamur Vezaj ka folur për rastin “Shullazi”, çështje për të cilën asnjë prokuror nuk pranon të japë pretencën.

Vezaj deklaroi se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka qenë ndonjëherë në gjendje më të keqe se sot, pasi edhe në të kaluarën ka pasur raste shumë të bujshme kur prokurorët pavarësisht emrave të njohur të botë së krimit e kanë dhënë pretencën e tyre.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke iu referuar rastit të “Shullazit” Vezaj deklaroi se Arta Marku mund ta zgjidhte duke lejuar që çështjen ta vazhdonte Elisabeta Imeraj, e cila u komandua në krye të prokurorisë së Tiranës dhe 120 dosjet e saj u hodhën në short.

“Nëse Marku e miraton që Imeraj të vashdojë cështen kjo do të ishte zgjidhur me kohë, por nuk e di se pse e zvarrit këtë cështje. Nuk e di se cili është shkaku I zonjës Marku për të mos e vazhduar Elisabeta Imeraj këtë çështje”, tha Vezaj.

Rastin e Shullazit, sipas Vezajt Donika Prela ia la prokurorit Ened Nakuci i cili është larguar nga Shqipëria.

Vezaj tha se nga informacionet që ka ai, prokurori Nakuci është kërcënuar nga një personazh i njohur i botës së krimit i cili ka dalë nga burgu.

“Nga informacionet që kam është kërcënuar nga një person i njohur i botës së krimit që ka dalë nga burga pak kohë më parë”, u shpreh gazetari.

“Më pas dosjen e ka marrë Besim Hajdarmataj dhe si duket edhe ky është trembur dhe ka këruar një tjetër prokuror. Donika Prela sot ka hedhur shortin për prokuror për të marrë çështjen. Por prokurorët kanë kundërshtuar këtë procedurë. Nga ato që kam marrë vesh, ajo është shprehur me arrogancë dhe prokurorët janë larguar dhe nuk e di kush do të shkojë të martën”, shtoi ai.

Vezaj deklaroi se përdorimi i këtyre procedurave ekstra-ligjore mund t’i japë shkak Shullazit për të kthyer çështjen nga fillimi.

I pyetur se çfarë dënimi rrezikon Shullazi, Vezaj tha se do të kërkohet dënim maksimal për të dhe grupin e tij, por enigmë sipas tij është shtyrja pafund e procesit.

ME TE LEXUARAT