Ky është shkodrani i guximshëm që udhëtoi me Ziz nga Anglia në Shqipëri

Soft

Gent Jakupi ka qenë fëmijë kur u përmbys sistemi, por sot është nga ata pak persona që vijon të ketë pasionin për Ziz-in e kohës së komunizmit. Madje me këtë makine ka udhëtuar nga Anglia në Shqipëri.

Zizi i vitit 1947 është automjeti i preferuar i Gent Jakupit, i cili prej 20 vitesh jeton në Angli. Ky automjet ka shërbyer në ushtrinë shqiptare në vitit e diktaturës, por që në epokën e demokracisë ka shkelur vendet më të zhvilluara të Europës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

40-vjeçari nga Shkodra thotë që këto mjete janë një dëshmi e së shkuarës tonë.

“Është një sistem që për shumë njerëz ka qenë i keq, e për disa të tjerë i mirë. Por ama ai sistem ka qenë. Ne duhet të mësojmë nga historia për të nxjerrë konkluzione sa më të mira. Sa më shumë ta ruash historinë aq më shumë tregon kulturë”, shprehet Gent Jakupi.

Genti me Ziz-in e tij pa kondicioner ka udhëtuar nga Anglia drejt Shqipërisë.

“Një rast na ndaloi policia gjermane dhe na tha ju lutëm ejani në komisariat pasi jemi mbledhur për të bërë një foto me këtë automjet”, tha Gent Jakupi.

Makinat e një epoke tjetër, kanë udhëtuar mijëra kilometra në sistemin e diktaturës, tani në demokraci pushojnë të parkuara, ku edhe pse nuk përdoren gjithnjë është dikush duke u kujdesur për to që të jenë funksionale.

“Këto mjete të sjellin një kënaqësi të veçantë sidomos kur je duke udhëtuar me to. Mund të jesh dhe vetëm në rrugë duke udhëtuar me to dhe e ke fytyrën duke buzëqeshur”, thotë Gent Jakupi.

I pyetur se si është reagimi i njerëzve kur e shohin me një makinë të tillë, ai përgjigjet: “Dy fjalë, bravo të qoftë!”

Po për çfarë përdorej një makinë e tillë?! “Përgjithësisht këto makina janë përdorur për ushtrinë, ndërsa kjo është përdor për karburantin e raketave. Ke qenë gjithnjë i lidhur me historinë? Po, pa të kaluar nuk ka të ardhme”, sqaron Jakupi.t/ch

ME TE LEXUARAT