SHBA mbështet tezen e Thaçit dhe Vuçiçit

Kosovë&Rajon

SHBA mbështet presidentët e Serbisë dhe Kosovës në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjes mes tyre por mbështet edhe qëndrimin e shefes për politikën e jashtme në BE Federika Mogherini.

Kjo, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott. Në një konferencë për sfidat e sigurisë në Ballkan, në kryeqytetin serb, ambasadori tha se ekzistojnë tre çështje kritike në rajon; dialogu Kosovë-Serbi, mosmarrëveshja për emrin e Maqedonisë dhe mbajtja e Bosnjë-Hercegovinës, shtet.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas Scott, këto probleme nuk janë të pazgjidhshme, çka shihet me atë që po ndodh në Maqedoni. Në Bosnjë përparimi nuk është i shpejt ndërsa në Beograd dhe Prishtinë, po shihen lëvizje të reja.

“Shpresojmë që një zgjidhje e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt”, tha Scott.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në Bosnjë-Hercegovinë, Maureen Cormack, tha për Radion Evropa e Lirë se politika e SHBA është e pandryshueshme kur flitet për dialogun Kosovë-Serbi dhe se rasti i këtyre dy vendeve nuk ka asnjë ngjashmëri me republikën serbe në Bosnjë.

Sipas saj nuk ka asnjë paralele mes tyre ndërkohë që ka nënvizuar se SHBA përkrah rolin e BE në dialogun Kosovë-Serbi dhe mbështet në anën tjetër sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Shumë analistë kanë thënë se nëse do të ketë ndryshime kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, kjo do të shërbente si precedent edhe për Bosnjën.

Ideja për ndryshimin e kufirit mes këtyre dy shteteve, është proklamuar nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, si zgjidhje e mundshme që do të ofronte një marrëveshje paqeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se do ta mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen të dyja vendet, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe, janë shprehur kundër kësaj ideje.

Kryediplomatja evropiane, Federika Mogherini ndërkohë ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme për sa kohë që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

ME TE LEXUARAT