Importi para vitit 2010/ Vendimi i ri për makinat, kategoritë që penalizohen

Aktualitet

Makinat mbi 10 vjet prodhim, që janë në qarkullim, nuk do të preken nga vendimi i ri për ndalimin e importit. Projektvendimi i përbashkët i Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Transporteve vendos kritere të reja për makinat që do të importohen pas 1 janarit 2019.

Drejtoresha e Ministrisë së Mjedisit, Klodi Marikaj, në një intervistë për “News 24”, shpjegon sesi do të funksionojë skema me kriteret e reja për importimin e makinave. Marikaj shpjegoi se kjo nismë vjen në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, pasi 80 për qind e makinave që qarkullojnë në vend janë me moshë 20- vjeçare. Drejtoresha e Mjedisit tha se nga vendimi do të përjashtohen disa kategori makinash.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ministria e Mjedisit ka prezantuar projektvendimin për ndalimin e importit të makinave me mbi 10 vjet prodhim, cilat janë arsyet e hartimit të këtij vendimi?

Projektvendimi për reduktimin e shkarkimeve që vijnë nga automjetet është dakordësuar dhe bashkëpropozuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Dalja me këtë bashkëpropozim erdhi si pasojë e vlerave të listuara në fakte, për sa i përket cilësisë së ajrit. Në Shqipëri, dihet që kemi një trafik shumë të madh të makinave të përdorura dhe ato që qarkullojnë në tregun shqiptar janë mbi 20-vjeçare. Po ashtu, edhe makinat e tonazhit të rëndë, kamionët dhe autobusët, janë shumë të vjetër. Gjithashtu, Europa ka vendosur disa standarde në prodhimin e makinave, të cilat janë të cilësuara si “Euro 0, 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6”, të cilat përcaktojnë që në teknologjinë e prodhimit se çfarë shkarkimesh do të nxjerrë në ajër. Nga ana tjetër, kemi një problematikë shumë të madhe, sepse duke mos pasur industri në vendin tonë, mendohet që është transporti shkaktari kryesor i prishjes së cilësisë së ajrit. Me prishjen e cilësisë së ajrit, ne kemi impakt negativ në mjedis, si dhe në shëndetin njerëzor. Kemi raste të shtuara të njerëzve, të cilët kanë probleme të sistemit të frymëmarrjes, alergji të shpeshta. Bazuar në këto të dhëna, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, dolëm me këtë projektvendim.

Çfarë kriteresh parashikon projektvendimi për importin e makinave të përdorura dhe të reja?

Projektvendimi, për të cilin pritet të merret dakordësia e Këshillit të Ministrave, është cituar që makinat që do të hyjnë në territorin shqiptar, për ato makina që kanë kilometrazh zero të jenë të standardit “Euro 5”, që nënkupton të jenë të prodhuara në vitin 2011. Ndërkohë, po kjo gjë vlen edhe për makinat e tonazhit të rëndë, por nuk penalizohen makinat që janë në qarkullim, pavarësisht problematikës së tyre. Siç e përmenda edhe më lart, 80 për qind e makinave që qarkullojnë në vend janë me moshë mesatare mbi 20 vjet. Këto ishin dhe arsyet që nxorën këtë projektvendim. Mbrojtja e mjedisit është një gjë e domosdoshme dhe me vlerë. Shpeshherë diskutohen problemet, p.sh., që mua më duhet të mirëmbaj makinën me kaq vlerë për ta sjellë atë në cilësinë apo normat e duhura. Por, nga ana tjetër, kemi faktin konkret që të gjithë njerëzit në Shqipëri, flasim edhe për Tiranën si një qytet superurban, ku çdo njeri ka një makinë. Pra, kur përdor një makinë, e rëndësishme është përdorimi i saj në mënyrë sa më efeciente apo përdorimi i mjeteve alternative, si biçikletat apo ecja në këmbë.

Cilat kategori të makinave përjashtohen nga rregulli i ri i importit të tyre?

Ky vendim nuk do të zbatohet për makinat që kanë vlerë historike dhe koleksionimi, siç janë automjetet e prodhuara deri në dhjetor të vitit 1970, pra, në prodhimin e tyre klasik. Pra, automjete, që paraqesin vlera muzeale apo kulturore. Gjithashtu, ky vendim nuk do të zbatohet edhe për makinat, të cilat janë dhuruar nga donacione humanitare.

Makinat e përdorura

Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Mjetet e tjera motorike të përdorura si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, të gjitha ato që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Makinat e reja

Mjetet e tjera motorike të reja si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën “Euro 5” të Bashkimit Europian

Autoveturat e reja me zero km që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën “Euro 5” të Bashkimit Europian

Kategoritë që përjashtohen nga vendimi:

Automjetet e hershme me interes historik dhe koleksionimi, si:

Automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970 Automjete të prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë

Automjete, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale, kulturore apo trashëgimi sociale

Mjetet motorike, të cilat janë importuar nga subjekte fizike apo juridike, me qëllim dihëm humanitare në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacione dhe ndihmat humanitare.

ME TE LEXUARAT