Haradinaj: Loja me kufij e territore, eksperiment i rrezikshëm

Aktualitet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sërish është shprehur kundër, “eksperimenteve”, siç i ka cilësuar ai, me idetë për ndryshimin e kufirit të Kosovës apo kufijve në Ballkan në përgjithësi.

Ai tha se kjo retorikë politike duhet të ndalet, ngase Kosova nuk e ka luksin që të lëshohet në temën e ndryshimit të kufirit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në këtë aspekt, Haradinaj tha se do të dëshironte të mbetej i rezervuar ndaj një kërkesë të përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë si mbështetje politike që këto komuna të Serbisë, t’i bashkohen Kosovës.

Haradinaj tha se loja me kufi mund të jetë shumë e rrezikshme.

“Është eksperimet i rrezikshëm loja me kufi e territore. Jam kundër këtyre eksperimenteve dhe i lus të gjithë që të kenë kujdes”, u shpreh Haradinaj gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa me rrezik është loja me kufi në Ballkan. E dimë nga e kaluara, sa herë janë hapur nuk dihet ku janë mbyllur dhe në të mirën e kujt. Sa herë janë hapur nuk është ditur se ku do të mbyllen, pas sa tragjedive dhe në të mirën e kujt”, tha Haradinaj.

Në vend të debateve për kufirin, Haradinaj ka ka ftuar opozitën që të përfshihet në ekipin negociator në mënyrë që ky ekip të përfaqësojë Kosovën në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

“Shpresojmë që edhe opozita do t’i jap përkrahje këtij ekipi. Kishim një gjendje ku opozita dhe Lista Serbe nuk e kanë përkrahur, por të shohim si do të rrjedhin gjërat”, tha Haradinaj.

Në këtë konferencë, Haradinaj tha se çështja e kufijve po lansohet si retorikë, e cila po shpërqëndron opinionin nga temat reale me të cilat duhet të merret Qeveria dhe Kosova, që kanë të bëjnë me rendin, ligjin si dhe liberalizimi i vizave.

ME TE LEXUARAT