Pasaporta e makina e tij në vendin e atentatit të Hajdarit, kush është Fatmir Meta që po trazon PD-në
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat tha se do të padisë kreun e IKMT në Vlorë, Fatmir Meta. Meta u konfrontua verbalisht me deputetin demokrat Agron Shehaj, ndërsa PD tha se e kërcënoi gjatë aksionit për shembjen e disa banesave në fshatin bregdetar të Jalës. Basha tha se Fatmir Meta i shpëtoi njëherë drejtësisë, kur ishte shef i komisariatit të Tropojës, ndërsa u shpreh se vrasësit e Azem Hajdarit udhëtuan me makinën e tij.
Pjesë nga dokumenti i SHIK për vrasjen e Azem Hajdarit dhe përfshirja e Fatmir Metës:
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Nga disa burime të besueshme informative, të pavarura prej njëri-tjetri dyshohet se, autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari janë: Fatmir Muharrem Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Ferz Kërnaja, që të tre nga rrethi i Tropojës.
Në këtë dokument thuhet ndër të tjera se origjina e konfliktit mes këtij grupi dhe Azem Hajdarit zë fill me tentativën për vrasje që realizoi deputeti i PS, Gafur Mazreku ndaj Azem Hajdarit më datë 18 shtator 1997.
PD-ja pas kësaj ngjarje kërkoi që të realizonte një miting proteste në Tropojë. Shefi i Komisariatit të Policisë në atë përiudhë Fatmir Haklaj nuk ju dha leje dhe për pasojë krijoi konflikt me të quajturin Fatmir Hoxha, i cili është nga fshati Luzhë i Tropojës, në atë kohë ka qënë oficer i Policisë Kufitare në Shkodër, aktualisht qëndron i mbyllur në shtëpi për motive hasmërie.
Në datë 5 janar 1998 në qafë Luzhë, Tropojë vritet Shkëlqim Haklaj, i vëllai i Fatmir Haklës së bashku me kunatin e këtij të fundit të quajtur Kujtim Demiri. Kjo vrasje u dyshua të ishte bërë nga Haki Hoxha dhe Abdyl Matoshi nga fshati Luzhë, ish-oficer i Policisë në Burrel, të dy të shtyrë nga Azem Hajdari.
Më datën 6 janar 1998 në fshatin Cernice të Tropojës vritet Avdyl Matoshi, Gjin Kolbuçaj nga Bukova e Tropojës dhe Naim Dizdari i cili kish grua motrën e Abdyl Matoshit. Në këtë vrasje Fatmir Haklaj nuk ka marrë pjesë vetë.
Në vrasjen e Azem Hajdarit ka marrë pjesë edhe një person nga Nikla e Krujës, i njohur si vrasës profesionist dhe po atë datë rreth orës 24:00 është çuar i plagosur në spitalin e Tiranës ku edhe ka vdekur. Në xhep i është gjetur një pasaportë e firmosur nga Fatmir Meta ish-shefi i Komisariatit Tropojë. Për këtë person dyshohet se mund të jetë plagosur rëndë në momentin e përplasjes mes dy grupeve nga Azem Hajdari, ose është vrarë nga grupi i Jaho Mulosmanit, për të humbur gjurmët e krimit.
Ekzekutorët e vrasjes së Azem Hajdarit kanë udhëtuar për tërë natën në drejtim të Tropojës, ku kanë mbërritur rreth orës 05:00 të datës 13 shtator 1998.
Ish- ministri i Rendit Publik, Perikli Teta ka marrë dy herë Tropojën për të verifikuar vendndodhjen e Jaho Mulosmanit, i cili kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në Komisariat me pretekstin se ishte i sëmurë. Në orën 22:00 të datës 12 Shtator 1998 kur në shtëpinë e Jahos shkuan një grup policësh, babai i tij Salih Mulosmani, u tha që ishte brenda në dhomë dhe ata vetë nuk e verifikuan.
Taulant Dedja, përfaqësues i qeverisë për Tropojën, në mëngjesin e datës 13 shtator 1998, rreth orës 7:15 e ka konfirmuar ndodhjen e Jaho Mulosmanit në Tropojë.
Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës tip “Fuoristradë” e me llampën, sinjalin e policisë. Me këtë makinë Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë dy ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja. Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.