“Mos të flasin me patate në gojë”. Cilët zyrtarë të BE po sulmon Basha?

Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në ndryshimin e gjendjes në Shqipëri.

Krydemokrati ka vazhduar të denoncojë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, sipas të cilit, kontrollin e ka marrë krimi përmes bashkëpunimit me politikën. Dhe për këtë akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Krimi kontrollon qytetet, lagjet e qyteteve. Është krimi që kontrollon territorin dhe ekonominë, qeveria nuk e ka më kontrollin e territorit dhe ekonomisë”, tha Basha në konferencën ballkanike të organizuar nga LDGSH në bashkëpunim me Forumin e Gruas në PPE.

Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha nuk foli me emra konkretë, por tha se askush nuk u beson më fjalëve të zyrtarëve të caktuar të Bashkimit Europian që vazhdojnë të përkrahin Kryeministrin dhe reformat e qeverisë përmes shprehjeve të përsëritura.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Kusht kryesor është ndarja e Shqipërisë nga krimi. Askush nuk ka nevojë në këtë vend dhe askush nuk i merr seriozisht ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë situatë, ata që kanë lejuar Edi Ramën të përqëndrojnë në një dorë gjithë pushtetet. Askush nuk i ha më frazat për thellim dhe intensifikim të reformave, sepse institucionet i ka kapur krimi. T’i bëjmë thirrje atyre që flasin në emër të Europës, mos na gënjejnë më. Mos të flasin me patetate në gojë, por ta thonë qartë. Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin. E kanë thënë qartë drejtues të lartë të politikës gjermane, është koha ta thonë të gjithë”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, citon klan.

Në kuadër të këtij forumi, Basha tha se “te gratë është çelësi kryesor i daljes nga kjo gjendje”, për faktin se janë më pak të inkriminuara se sa politikanët burra.

ME TE LEXUARAT