Shembja e urës Morandi, prokuroria hetim për vrasje të shumëfishtë

Kliko per me shume info

Shembja e urës Morandi dhe humbja e dhjetëra jetëve nuk do të kalojë pa marrë përgjigje. Ka qenë kjo garancia që krerët e shtetit italian kanë dhënë pas tragjedisë në Xhenova.

Pak orë pas ngjarjes tragjike, Prokuroria e Xhenovës ka bërë me dije se po bëhet gati të nisë një hetim për “vrasje të shumëfishtë” dhe “tragjedi të qëllimshme”. Megjithatë, kryeprokurori Françesko Koci ka deklaruar se për momentin hetimet nuk do të fokusohen në emra konkretë. Disa dëshmitarë që po udhëtonin mbi urë, por që ndaluan pak momente para shembjes kanë deklaruar se kishin parë një rrufe të godiste objektin.

Kliko per me shume info

“Ishte pak pas orës 11 e gjysmë kur pamë rrufenë të godiste urën dhe më pas rënien e saj”, ka thënë një dëshmitar për agjencinë e lajmeve ANSA. Por zëvendës ministri i Infrastrukturës, Edoardo Rixi ka mohuar që një strukturë e tillë të shembet për shkak të rrufesë.

“Një urë e tillë nuk shembet as nga rrufeja, as nga stuhija. Duhen gjetur fajtorët”, ka thënë Rixi.

Dhe në fakt, nga të dhënat e para të shërbimeve të emergjencës rezulton se shembja ka ardhur si pasojë e dobësimit të strukturave mbajtëse. Për më tepër, objekti i ndërtuar në vitet ‘60 i ishte nënshtruar së fundmi punimeve për konsolidimin e soletës.

Duke iu shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, presidenti Serxho Matarela ka deklaruar se asnjë zyrtar nuk do t’i shmanget përgjegjësive.

“Këtë e kërkojnë familjet e viktimave, e kërkojnë komunitetet e dëmtuara nga një ngjarje që do të lërë shenjën dhe e kërkon ndërgjegjia jonë”, ka thënë Matarela.

Duke reaguar, zëvendës kryeministri Mateo Salvini ka deklaruar se qeveria do të marrë përsipër përgjegjësitë e saj.

“Nga sonte duhet të nisë verifikimi i përgjegjësve, i emrave dhe mbiemrave të fajtorëve për këtë tragjedi të papranueshme”. /abcnews

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.