Prodhuesi i birrave investon 4 mld dollarë për kanabisin

Soft

Firma zotëruese e birrave “Corona”, “Constellation Brands” pritet të investojë rreth 4 miliardë dollarë te prodhuesi më i madh i kanabisit në Kanada, “Canopy Growth”, në një marrëveshje që shënon kështu investimin më të madh në këtë industri deri më sot.

Vitin e kaluar, “Constellation” derdhi rreth 200 milionë dollarë për “Canopy”-n, sipas një marrëveshjeje për të prodhuar një pije joalkoolike me bazë kanabisin. Firma e alkoolit kërkon tashmë të përfitojë nga legalizimi në rritje i kësaj lënde narkotike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas publikimit të lajmit mbi këtë marrëveshje, aksionet e “Canopy”-t të listuara në bursën e Torontos pësuan një rritje me 30 për qind, ndërsa në “Wall Street”, “Constellation” ra me 6 për qind.

Dy firmat thonë se investimet do t’i lejojnë “Canopy”-t të zgjerojë biznesin e tij “në afro 30 vende, duke ndjekur një program kanabisi mjekësor të lejuar nga qeveria federale”.

“Canopy”, e cila ka zonën më të madhe të prodhimit të ligjshëm të kanabisit në botë, aktualisht prodhon vajra me bazë kanabisin dhe kapsula xheli të butë, mes shumë produkteve të tjera.

Pas injektimit të parave nga “Constellation”, “Canopy” planifikon të zgjerojë gamën e produkteve të saj, duke përfshirë këtu shufra të ngrënshme, inhilatorë dhe artikuj të mbështjellë.

Ajo kërkon gjithashtu të zhvillojë barna mjekësorë me bazë kanabinoidin, që ofron një alternativë më të sigurtë për një sërë trajtimesh: për dhimbje, ankth, pagjumësi apo psoriazën (sëmundje lëkure).

“Kjo marrëveshje shënon fundin e përgatitjeve për sektorin tonë, tashmë kemi të gjithë kohën përpara”, tha shefi ekzekutiv i “Canopy”-t, Bruce Linton.

“Constellation”, e cila prodhon dhe tregton birrë, verë dhe pije të tjera në SHBA, Kanada, Meksikë, Zelandë të Re dhe Itali, theksoi se qeveritë në mbarë botën kanë sinjalizuar tashmë një ndryshim domethënës në qasjen ndaj kanabisit dhe produkteve me bazë kanabisin.

“Përgjatë viteve të kaluara, kemi arritur në një kuptim më të mirë të tregjeve të kanabisit, rritjen e jashtëzakonshme që ato ofrojnë, si dhe kapacitetet udhëheqëse tregtare të Canopyt në këtë fushë”, tha Rob Sands, shef ekzekutiv i “Constellation Brands”.

Në qershor, qeveria kanadeze miratoi një ligj që legalizon tregun e kanabisit me qëllime rekreative në vend. Ligji pritet të hyjë në fuqi në muajin tetor.

Investimi më i fundit i “Constellation” te “Canopy” bën që pronësia e këtij të fundit te firma të shkojë në 38%. Marrëveshja, gjithsesi është subjekt i miratimit nga autoritetet rregullatore, që pritet të mbyllet jo më herët sesa fundi i tetorit./top channel

ME TE LEXUARAT