Hashashi shqiptar po përmbyt Greqinë, rritje e trafikut me 232%

Aktualitet

Ndërkohë që sipas kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, çështja e mbjelljes dhe trafikut të Kanabisit, tashmë “I takon historisë”, shifrat zyrtare të Policisë Greke tregojnë për një rritje masive të sasive të sekuestruara të hashashit në veri të vendit fqinj, në zonën e Epirit dhe kryesisht në Janinë, shkruan gazeta e madhe “Kathimerini”.

Gjithashtu kjo gazetë në përmjet një artikulli të fundit thotë, se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike vjen nga Shqipëria, për t’u shpërndarë më pas në pjesën tjetër të Evropës. Hashashi kalon nga kufiri shqiptaro-grek përmes rrugëve të ndryshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas një raporti të policisë greke, grupet kriminale kanë sofistikuar edhe format e trafikimit. Lënda narkotike fshihet në objekte dhe materiale të ndryshme. Për vitin 2016, policia greke ka sekuestruar në zonën e Epirit 2.7 ton hashash, ndërsa në vitin 2017 kjo shifër ishte 9.2 ton.

Vihet re një rritje prej 232% e rasteve të trafikut të drogës, që janë goditur nga policia greke. Kurse gjatë këtyre muajve për vitin 2018 janë kapur 961 kg drogë në Janinë dhe 300 kg në zonën e Thesprotisë.

Në të gjitha këto aksione ka pasur 306 të arrestuar, kryesisht shqiptarë. “Kathimerini” shkruan se për të goditur trafikun e drogës në kufirin greko-shqiptar, policia vepron në grupe të vogla dhe fleksible.

Një pjesë e goditjeve ndaj grupeve kriminale bëhen pikërisht në kufirin e gjelbër. Në bazë të informacionit që kanë autoritetet helene, nëse të dyshuarit kalojnë prefekturën e Janinës, atëherë forcat policore mobilizohen në zonën e dytë, kryesisht në Arta ku përmes postblloqeve arrestohen në flagrancë transportuesit e lëndëve narkotike.

Për të luftuar këtë fenomen kriminal, në ndihmë të autoriteteve që “luftojnë” në kufirin e gjelbër me trafikantët, janë shtuar edhe punonjësit e “Frontex”.

ME TE LEXUARAT