U nda pas 17 vitesh lidhje, Jonida Maliqi: U përpoqa të bëja maksimumin
Ndarja e këngëtares Jonida Maliqi me bashkëshortin biznesmen pas 17 vitesh lidhje bëri bujë të madhe në mediat rozë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Këngëtarja nuk foli asnjëherë rreth kësaj çështje por as nuk e mohoi atë duke konfirmuar kështu ndarjen.
Por nga kjo lidhje ajo ka fituar gjënë më të bukur për një grua, djalin e saj Dan.
Por duke folur në një intervistë për WHO ajo ka përmendur ish-bashkëshortin Gentin duke thënë se kjo është hera e fundit që e përmend.
Ndër të tjera Jonida u shpreh:
Po, jam shumë në paqe. Si çdo person tjetër, ne kemi rutinën tonë, nuk e dimë çfarë na sjell e nesërmja. Pasi vë Danin në gjumë në darkë, lutem gjithmonë. Falenderoj Zotin për të gjitha mundësitë që më ka dhënë, lutem për të nesërmen, të kemi shëndet, harmoni dhe qetësi. Ne e vendosëm që nuk do të ishim më bashkë. Kjo, ka qenë një ndër periudhat më të vështira të jetës sime. Është dashur shumë kohë që të dilnim në atë vendim. Ka qenë një luftë e brendshme që nuk e kam reflektuar jashtë, ndaj shumë njerëz janë çuditur në momentin që morën vesh lajmin, sepse unë vazhdova rutinën time. Kaloi vetëm në këtë mënyrë, duke menduar për vetveten, për Danin, për të mirën e familjes dhe për të mirën tonë si çift. Kishim mbërritur në një pikë që nuk mund të ishim të qetë pranë njëri-tjetrit, vetëm distanca do na bënte mirë, ashtu sikurse jemi sot në paqe. Koha shëron gjithçka. Me kalimin e saj çdo gjë shuhet, nuk harrohet, por ama nuk ke më emocionet e dikurshme dhe sa herë më pyesin, kjo është këshilla ime e vetme, efekti kohë."
Ndërsa sa i përket përpjekjeve që ajo bëri për të shpëtuar martesën, këngëtarja tha se u përpoq të bënte maksimumin, por ata ishin njohur shumë të rinj dhe kur rritesh i percepton ndryshe gjërat dhe nuk ka më idealizma por përshtatje, dhe përshtatja është çelësi dhe komunikimi.
Ajo tha:
Jam bërë pishman për disa zgjedhje të miat, për disa reagime të miat. Mendoj që kur ti ke investuar kaq shumë në një marrëdhënie, bëhet e vështirë. Ndoshta, por veten nuk e fajësoj dhe aq shumë sepse e di që kam dhënë mish e shpirt, kam dashur fort dhe jam munduar t’i shkoj deri në fund, ama nuk bëj dot kompromis me jetën time, idealin, apo moralin. Me Gentin i kaluam të gjitha etapat e këqija, të mira dhe tani jemi në një marrëdhënie shumë normale për hir të raportit që kishim, të atyre 17 vjetëve që kemi kaluar bashkë, që jemi rritur bashkë, për hir të respektit që kemi kundrejt njëri-tjetrit."
Ndërsa e pyetur nëse e sheh veten në një histori tjetër ajo tha:
Nuk mundem të parashikoj të ardhmen, ama e njoh veten dhe e di që nuk jam aq e thjeshtë, ndoshta pak ‘old school’, por sigurisht me pjekurinë e tanishme i kam idetë e qarta se çfarë kërkoj nga një marrëdhënie. Unë jam idealiste, kam qenë gjithmonë pro marrëdhënieve të shëndetshme, afatgjata. Jetojmë në një realitet shumë mediokër, deri diku të degjeneruar. Jam paksa e frikësuar, sepse nuk dua të zhgënjehem, por kjo është njerëzore.
Shumë njerëz më pyesin, – ‘a do të martohesh?’ – Nuk e mendoj, ama kurrë mos thuaj kurrë. Nuk mund të them që nuk jam pro një shoku jete, një personi që mund të kem pranë në të ardhmen time, por kur të ndodhë ajo shkëndija do e vlerësoj ashtu sikurse di të bëj unë. Kjo nuk do të thotë që unë jam kufizuar, por deri tani është ende herët për të qenë e hapur mbi këtë temë. Sa i përket anës financiare kam bërë ndryshime, në biznes kam krijuar marrëdhënie të reja pune. Falë Zotit kam energji, psikologjikisht jam e shëndetshme dhe më pëlqen shumë puna. Nuk hyj tek personat dembelë që janë mësuar të varen nga të tjerët. Po bëj dy vjet që jam vetëm, edhe pse lajmi ka dalë përpara një viti. Çdo gjë ka shkuar mirë, për më tepër që divorci me Gentin ka përfunduar me një pakt marrëveshjeje midis dy personave të civilizuar dhe përkujdesja e tij kundrejt Danit, sido që të jetë i bën gjërat më të lehta. Ne jemi të dy shumë të përgjegjshëm kundrejt atij që na bashkon dhe që do të na bashkojë përjetësisht."