“I forti i Vlorës” në gjendje të rënduar, ja kërkesa e tij prej 3 vitesh

Aktualitet

I cilësuar si “i forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia është dënuar me 24 vite heqje lirie nga Apeli i Krimeve të Rënda për akuzat e “grabitjes”, “pengmarrjes” dhe “tentativës së vrasjes”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sot, pasi ka kryer 11 vite të dënimit, Fotaq Zaharia kërkon liri pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Rasti i Fotaq Zaharisë nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

“Në vitin 2015, Gjykata e Krujës ka urdhëruar autoritetet që të kryejnë një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut konstatoi që ky vendim nuk ekzekutohej dhe dha një masë të përkohshme, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare që të zbatojë vendimin e Krujës”, tha Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit.

Por, përsëri ky vendim nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare e ka të pamundur të mbulojë ndërhyrjen kirurgjikale, që i nevojitet Fotaq Zaharisë.

“Tashmë çështja është në Gjykatën e Strasburgut për sa i përket dëmit që duhet t’i akordohet këtij shtetasi. Por, ndërkohë, ne menduam t’i drejtohemi Gjykatës së Krujës, duke kërkuar lirimin e këtij shtetasi për shkak të sëmundjes”, tha më tej Erida Skëndaj.

65-vjeçari, pas 11 vitesh në qeli vazhdon të kërkojë drejtësi.

“Nga drejtësia shqiptare kërkoj drejtësi në të gjitha drejtimet”, shprehet i dënuari Fotaq Zaharia.

Për të gjitha rastet e trajtimit çnjerëzor dhe degradues të gjendjes shëndëtësore, Gjykata e Strasburgut kërkon lirimin e të bugosurve.

“Gjykata e Strasburgut ka thënë në mënyrë eksplicite, që përjashtimisht kur kushtet shëndetësore nuk janë në përputhje me kushtet në të cilat ata mbahen në sistemin e burgjeve, atëherë shtetasi duhet të lirohet”, tha në fund drejtorja ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit./ Top Channel/

ME TE LEXUARAT