Çmimi i bukës mund të rritet prej energjisë elektrike, prodhuesit vënë alarmin

Kliko per me shume info

Prej 15 vitesh, Euglen Mërkuri operon në tregun e prodhimit të bukës, ndërkohë që së fundmi ka zgjeruar biznesin edhe me produkte të pastiçerisë.

“Këto produkte jam i detyruar t’i ruaj në frigorifer, por kjo na ka sjellë një problem me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”,-shprehet Mërkuri.

Kliko per me shume info

Sipas tij, në muajin prill të këtij viti, për energjinë elektrike ai është tarifuar me 14 lekë/kilovat, nga 7.6 lekë/kilovat që është çmimi i miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë. “Ky ndryshim është bërë pa asnjë njoftim paraprak apo të na komunikohet që ne kemi vendosur t’ju tarifojmë si bizneset e tjera për shkak se mbani frigoriferë.

E megjithatë buka nuk ruhet në frigorifer prandaj duket e pakuptimtë pse kërcënojnë të rrisin çmimin e bukës dhe jo të pastiçerive që po i mban në frigorifer.

E ai vazhdon ankesat më tej.

Ky lloj faturimi është kosto direkte për ne dhe është e papërballueshme”,-shprehet Mërkuri në një artikull të Scan, duke shtuar se mënyra e vetme për të kompensuar këtë rritje kostosh është rritja e çmimit të bukës, duke përjashtuar mundësinë e falimentimit.

Mërkuri nuk është i vetmi që është prekur nga ky ndryshim faturimi, pasi sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave janë rreth 500 furra të cilat raportojnë këtë problem. Shqetësimi i këtyre bizneseve u bë publik gjatë një mbledhjeje rutinë të Entit Rregullator të Energjisë, ku kreu i shoqatës, Gëzim Peshkëpia parashtroi problematikën dhe kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për të gjitha palët, çka nuk do të ndikonte në rritjen e çmimit të këtij produkti shumë të rëndësishëm për shqiptarët.

I pranishëm në këtë mbledhje, drejtori i Divizionit të Shitjes dhe Tregtimit në OSHEE, Elton Sevrani tha se kompania që ai përfaqësonte nuk ishte e gatshme të përballonte kostot që mund të lindnin nga ky diferencim, por sipas tij është e domosdoshme që diferenca që mund të lindë nga reduktimi i kësaj tarife të rimbursohet nga institucionet shtetërore.

“Meqenëse institucionet ligjvënëse kanë vendosur që disa klientë të jenë më të avantazhuar dhe të kenë një tarifë më të ulët ose më saktë të kontribuojnë më pak në kostot që i shkaktojnë OSHEE-së, ne jemi të detyruar t’i bindemi. Në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në tabelën udhëzuese të Entit Rregullator, ka një fjali të thjeshtë: Prodhues mielli, çmimi 7.6 lekë. Në qoftë se kjo fjali bëhet prodhues mielli, buke, djathi, qumështi, bulmeti, etj. dhe thotë 7.6 lekë, ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Në qoftë se institucione të tjera duan të bëjnë një suport financiar për furrat e bukës prodhuese, ne mbajmë një çmim, do ishte gjykimi ynë, të përcaktuar në përputhje me kostot e të ardhurat dhe çdo diferencë të përpjesëtohej nga institucioni përkatës, Ministria e Ekonomisë, tatim-taksat, etj.”,-u shpreh Sevrani.

Ndërkaq, pas publikimit të lajmit, OSHEE pati një tjetër reagim publik, duke sqaruar arsyet se përse po zbaton këtë sistem faturimi. “Përveç bukës masive, e cila duhet subvencionuar dhe me të drejtë ka edhe këtë çmim, kemi një gamë të gjerë prodhimesh nga më të ndryshmet, pastiçeri, byrek, tregtim të produkteve të bulmetit, që ia ndryshojnë komplet natyrën këtij biznesi dhe nuk na lejojnë ne të aplikojmë këtë çmim të diferencuar dhe në avantazh të këtyre bizneseve. Kemi ndjekur me rigorozitet vendimet e ERE, kemi bërë ndryshimet e tarifës kur kemi parë se ky aktivitet është i ndryshëm nga ai i përcaktuar, pra ka një gamë mjaft të gjerë produktesh”,-thuhej në reagim.

Po ashtu, sqarohej se “është kontribuar në zgjidhje, duke iu këshilluar ndarjen e ambienteve në dy aktivitete, pra aty ku kemi shërbimin e tregtisë të pastiçerisë, produkteve të tjera, byrek etj. të ketë tarifë shërbimi me 14 lekë në tension të ulët. Për zonat ku ka prodhim, ku janë furrat e pjekjes dhe brumatriçet do të aplikohet çmimi 7.6 lekë”.

Enti Rregullator i Energjisë

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti gjatë një raportimi në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. I pyetur nga kreu i komisionit për këtë shqetësim, Ahmeti tha se të dyja palët kanë argumente që iu japin të drejtë, por zgjidhja sipas tij është nënshkrimi i 2 kontratave të energjisë elektrike nga ana e furrave të bukës.

“Vendimi i ERE-s lidhet vetëm me subjektet ose struktura që prodhojnë bukë. Me kalimin e kohës është vënë re që këto njësi janë shtuar edhe me aktivite të tjetë, pa dashur t’i listoj sepse të gjithë mallrat i shesin, por shesin mallra që nuk është vetëm buka. Ndërkohë që, pranë tyre është një dyqan që shet po këto mallra dhe çmimi i energjisë elektrike është i diferencuar sepse gjithmonë fshihemi mbrapa strukturës që lidhet me prodhimin e bukës. Ky është një problem që zgjidhet me një investim që furra të ketë më vete kontratën për çfarëdolloj pajisjeje që nuk i shërben furrës së bukës”,- u shpreh Ahmeti.

Prodhuesit: Paguajmë 10% të energjisë me çmim të rritur!

Intervistë me Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së prodhuesve të Bukës

Pas këtyre propozimeve Shoqata e Prodhuesve të Bukës ka formuluar një propozim konkret, duke evituar investimin e ndarjes së linjave, por duke aplikuar një tarifim të diferencuar në faturë. Përmes një letre, dërguar ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është kërkuar që për furrat e bukës që kanë frigorifer, çmimi i energjisë të jetë 8.5 lekë/kw. Ministria nuk ka ende një vendim konkret për këto shqetësime, duke deklaruar se është duke u diskutuar me të gjithë palët e interesit.

Ndërkaq, përmes kësaj interviste kreu i shoqatës, Gëzim Peshkëpia argumenton më në detaje kërkesat e tyre, duke pranuar që reduktimi i pagesës të bëhet për ata frigoriferë, të cilët ruajnë vetëm produktet e furrës, siç mund të jenë ëmbëlsirat dhe duke larguar produktet e tjerë siç mund të jetë bulmeti apo uji. Po ashtu, ai kërkon edhe rishikim të nivelit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke e përafruar me vendet e rajonit. Në të kundërt “rritja e çmimit të bukës është e paevitueshme”.

Z.Peshkëpia, pak kohë më parë u bë publik shqetësimi juaj që keni me faturimin e energjisë elektrike. Më konkretisht ku konsiston ai?

Problemi i energjisë elektirke ka një periudhë kohore që po trajtohet nga ne si shqetësim sepse OSHEE kërkon që furrat e bukës të mos tarifohen më me 7.6 lekë/ kw që është përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, por të trajtohen si gjithë llojet e bizneseve të tjerë, me 14 lekë. Kjo sepse një numër i madh i furrave të bukës, për shkak të biznesit të tyre ka një bazë frigoriferike për tregtimin e prodhimeve të brumit, që janë të linjës tonë.

Kjo bazë frigoriferike përfaqëson vetëm 5-10% të energjsë elektrike totale që konsumon furra sepse për hir të së vërtetës pajisjet që janë për prodhimin e bukës konsumojnë shumë energji. Këtu kam parasysh furrat, brumatriçet, frigoriferët që na duhen për brumrat, bashmajatë, etj. Ndërsa frigoriferët që janë për tregtim janë si frigoriferët familjarë, pra që harxhojnë pak energji. Në mënyrë të veçantë, furrat e reja që po krijohen tani nuk po iu jepet subvencioni dhe ato duhet të paguajnë që në fillim 14 lekë/kw. Ne ky veprim na duket i padrejtë.

Çfarë ka sjellë ky faturim, në drejtim të kostove të biznesit?

Normalisht që rriten kostot. Një furrë buke që deri tani paguante 60 mijë-70 mijë lekë në muaj, tani i duhet të paguajë 140 mijë lekë. Pra, kemi një dyfishim të kostove. Zërat e kostos te buka janë: mielli, energjia, fuqia punëtore dhe pagesat e detyrimeve ndaj institucioneve shtetërore. Pra, zëri ‘energji’ është me një peshë të madhe në koston e prodhimit. Një furrë buke, me çmimin aktual të bukës nuk e përballon dot këtë lloj tarifimi.

Ju keni bërë hapat tuaj, duke kontaktuar me institucionet përkatëse, duke filluar që nga Enti Rregullatori i Energjisë e deri të Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Më konkretisht cilat janë kërkesat tuaja?

Ne kemi kontaktuar me të gjithë institucionet e linjës. Kemi bërë shumë takime me OSHEE-në dhe me ta kemi gjetur një mirëkuptim. Jemi ulur disa herë në diskutime. Po ashtu, edhe me ERE-n, por OSHEE thotë që ‘unë jam thjesht zbatues’. Nga ERE thuhet që ne gjithmonë do të jemi me tarifimin 7.6 lekë/kw, por nuk merr parasysh praninë e disa frigoriferëve dhe kjo çështje ka ngelur në fazën e një diskutimi.

Kohët e fundit i kemi çuar një letër edhe ministrit, Damian Gjiknuri. Ne i argumentojmë ministrit që furrat e bukës duhet ta kenë energjinë elektrike të diferencuar nga subjektet e tjera tregtare sepse është shumë e nevojshme që biznesi i bukës të mos krahasohet me bizneset e tjera sepse ne kemi një prodhim jetik. Ne tregtojmë edhe një gamë produktesh që i prodhojmë vetë sikurse janë byrekët apo ëmbëlsirat që gjithashtu janë produkte popullore. Gjithmonë jemi të prirur që asnjë lloj elementi të mos ndikojë në rritjen e çmimit të tyre sepse e kuptojmë që prodhimet tona janë prodhime të njerëzve në masë.

Më konkretisht çfarë kërkoni ju?

Ne kërkojmë që ministria të ndërhyjë, në radhë të parë për ta qetësuar situatën sepse ka një agravim të saj, pasi ka një mori furrash (400-500) që e paguajnë energjinë me 140 lekë/kw. E dyta, ne i kemi kërkuar ministrit që furrat të cilat janë pa bazë frigorifrike të vazhdojnë të trajtohen me tarifën 7.6 lekë.

Furrat që kanë një bazë frigoriferike tregtuese, jo prodhuese të trajtohen me një çmim të diferencuar dhe propozimi ynë mbi bazën e gjendjes reale të furrave është që ky çmim të jetë 8.5 lekë. Në të njëtën kohë ne marrim përsipër që edhe nëse ka frigorifer të bulmetit, pijeve freskuese apo të ujit ne t’i largojmë nga furrat e bukës.

Çfarë ndodh nëse kërkesat tuaja nuk merren parasysh?

Ne shpresojmë që të realizohet, por nëse nuk ndodh atëhere do të ketë ndikim në drejtim të çmimit të produkteve tona. Në kuadër të formalizimit të ekonomisë edhe bizneset e bukës tashmë janë të formalizuara, punonjësit janë 100% të siguruar, energjia dhe detyrimet institucionale paguhen 100%, ka një rritje të pagave të specialistëve të sektorit çka do të thotë që ky formalizim i ekonomisë domosdoshmërisht ka rrudhur fitimin e bizneseve të bukës. Çdo rritje ndikon në uljen e fitimeve, por do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të tjera. Ne nuk e dëshirojmë, ndaj kemi një periudhë kohore që duam ta zgjidhim në formë institucionale, në mënyrë që popullit t’i jepet bukë me standarde dhe me këto çmime që janë jashtëzakonisht të ulëta.

A keni bërë një përllogaritje sesa mund të shkojë rritja e çmimit të bukës, nëse nuk merren në konsideratë kërkesat tuaja?

Ne nuk kemi bërë sepse përllogaritjet janë individuale. Shoqata nuk ndikon as në rritjet, as në uljet, por trajton problemet e tyre. Rritja varet nga kushtet individuale të furrave: dikush e ka pronë të vetën, dikush me qira, dikush ka marrë kredi, dikush ka një treg më të varfër, dikush ka një treg më të pasur.

Në fakt një tjetër shqetësim i bizneseve që ju përfaqësoni është edhe TVSH-ja e bukës, për të cilin keni zhvilluar edhe një takim konsultativ me ministrin e Financave dhe Ekonomisë. Ku konsiston ky shqetësim?

Gjatë diskutimeve që ne patëm, në kuadër të paketës fiskale ishte një kërkesë që ne e kemi bërë prej kohësh. Ne kërkojmë që TVSH-ja e bukës të njehsohet me shtetet e tjera të rajonit. Shtetet e tjera nuk e kanë primare bukën, por shtetet fqinjë si Kosova apo Maqedonia e kanë TVSH-në e bukës 0-10%. Ne kërkojmë që minimalisht TVSH-ja të përgjysmohet, por pse jo edhe të zerohet për hir të një faktori që buka është ushqimi kryesor i shqiptarëve. Kjo kërkohet pikërisht që çmimi të mbahet në këto kuota që jemi aktualisht, por në të njëjtën kohë nëse ajo reduktohet nuk përjashtohet mundësia e uljes së çmimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.