Vazhdon në rritje euro, ja me sa është këmbyer ditën e sotme

Monedha e përbashkët europiane ka pësuar një zhvlerësim të fortë sot ndaj lekut vendas, pas katër ditësh që kishte njohur vetëm rritje. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot në nivelin e 126.98 lekëve, rreth 1.36 lekë më pak.

Ekspertët e këmbimit valutor thonë se luhatje të tilla nuk janë mirë për një ekonomi të qëndrueshme.

Kliko per me shume info

Aktorët kryesor të tregut argumentojnë se tani janë këmbimet reale të tregut, pasi efektet psikologjike pas deklaratës së Bankës së Shqipërisë se do të ndërhyjë në treg kanë përfunduar.

Aktualisht euro ka rikuperuar pozicionin në treg nga niveli i ulët i këmbimit prej 124.17 lekë, që arriti në 5 qershor, niveli më i ulët i 10 viteve. Pasi euro nisi rritjen, individët u stimuluan që të blinin euro në treg, nga frika se ajo do të rritej më tej dhe, pasi u ezauruan fondet që kishin, monedha e përbashkët po i kthehen rënies.

Sipas aktorëve të tregut mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të ketë ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, duke tërhequr valutën e tepërt në treg.

Ekspertët thonë se është ende herët për të folur për tendencën, duke qenë se në fundin e kësaj jave përfundon dhe muaji i Ramazanit dhe pritet fluks turistësh nga trevat.

Zhvlerësimi i euros vjen pasi rikuperoi në tregun vendas rreth 4.24 pikë, nga data 6 qershor, kur Banka e Shqipërisë njoftoi planin e saj për të ndërhyrë në tregun valutor me synim ndalimin e rënies së mëtejshme të euros.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg, pasi euro ra me shpejtësi në maj dhe qershor, duke zbritur në 5 qershor në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet. Banka tha se kjo rënie ishte e papritur dhe kishte shkuar përtej parashikimeve, duke u ndikuar dhe nga efekti psikologjik i pritshmërive për një rënie të mëtejshme.

Pas ndërhyrjes së bankës, faktori psikologjik u kthye në drejtim të kundërt. Individët nxituan të blinin valutë, në pritje të rritjeje të mëtejshme të euros dhe kjo ndikoi në forcimin e shpejtë të monedhës së përbashkët.

Luhatjet e mëdha kanë bërë që agjencitë e këmbimit valutor të rrisin marzhin e tregtimit në blerje dhe shitje, nga 0.5 lekë, në gati 2 lekë.

Për shkak të kësaj situate, ekspertët e tregut pohojnë se është e vështirë të bëhen parashikime për ecurinë në muajt në vijim, ndonëse tradicionalisht vera është një periudhë kur valutat dobësohen, për shkak të efekteve sezonale nga remitancat dhe prurjet e turistëve, që këtë vit pritet të arrijnë në nivel rekord./monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.