Protesta për Teatrit/ Derhemi thirrje qytetarëve: Këta duan të shembin për të ndërtuar kullat

Aktualitet

Aktori i njohur Arben Derhemi, përmes një videoje të bërë publike në faqen “Nisma thurje”, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen ditën e premte, datë 15, në Teatër, së bashku me artistët, të cilët kërkojnë që të mos shembet.

“Teatri Kombëtarë nuk është vetëm i artistëve, është pronë e gjithë shqiptarëve, e gjithë Tiranës. Këta duan që të shembin për të ndërtuar kullat e tyre dhe të fshijnë kujtesën dhe zemrën e kulturës shqiptare dhe ta zëvendësojnë me betonin e fitimeve të tyre. Mbrojtja e Teatrit është mbrojtja e pronës publike nga vjedhja me ligj që po i bëhet asaj. Ejani të premten në Teatër, të mbrojmë Teatrin, pronën publike, qytetarinë. Të premten në orën 19:00 në Teatër”, shprehet Derhemi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shembja e Teatrit/ Derhemi: Sot, më keq se ajo që diktatura i bëri At Zef Pllumit

ALMA MILE / “Ajo që po na bën diktatura sot neve, është më e frikshme se ajo që diktatura i bëri dje, At Zef Pllumit”. Kështu thotë Arben Derhemi, që për muaj me radhë i është dashur të mbajë mbi shpinë plagët e klerikut martir.

At Zef Pllumit i zhveshën zhgunin e priftit dhe i veshën uniformën e burgut, i mohuan të ndiqte vokacionin e tij, qëllimin e jetës, t’i shërbente Zotit dhe njeriut. Sot, aktorëve u duhet të zbresin nga skena e të dalin në rrugë e të protestojnë për të mbrojtur pikërisht atë skenë nga shembja.

Një draftprojektligj, i hedhur për “diskutim” nga Ministria e Kulturës, parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe kalimin e truallit të tij në pronësi të privatit, konkretisht shoqërisë “Fusha shpk”. Miratimi në Parlament i këtij projektligji vulos shembjen përfundimtare të godinës 80-vjeçare. Gjatë fundjavës që lamë pas, aktori Arben Derhemi risolli në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” monodramën me regji të Milto Kutalit, “Rrno për me tregue”.

Një monodramë rrëqethëse e mbështetur në veprën me të njëjtin titull të një prej të mbijetuarve të diktaturës, At Zef Pllumit. Një vepër që dëshmon krimet e komunizmit, por po ashtu është një vepër kundër çdo diktature. Si në çdo herë që është shfaqur kjo monodramë në të gjitha skenat në trevat shqipfolëse, salla ishte plot edhe dy ditë më parë. Pas shfaqjes që zgjat rreth 1 orë e gjysmë, me rrason e zezë të priftit në trup, në momentin që duhet të përshëndeste spektatorin, i shoqëruar nga regjisori Kutali, aktori Arben Derhemi u shfaq me një banderolë në duar: “Mbro Teatrin!”.

Ishte ky mesazhi drejtuar të gjithë të pranishmëve. Një thirrje për t’iu bashkuar rezistencës ndaj shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, por edhe të Teatrit Kombëtar Eksperimental, që nuk përmendet asnjëherë.

REAGIMI: “MBRO TEATRIN”

Edhe pse prej një kohe të gjatë i angazhuar në mbrojtje të të drejtave të aktorit të Teatrit Kombëtar, madje duke u vendosur edhe në krye të Sindikatës së Artistëve të TK-së, Arben Derhemi nuk e kishte menduar se do të duhej të ishte jo thjesht pjesë, por në krye të një beteje për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar. Me pankartën “Mbro teatrin” në duar, Derhemi do t’u drejtohej spektatorëve që kishin shkuar për të ndjekur, se ngjarjet më të fundit e detyrojnë të bëjë ca deklarata politike, kundër dëshirës, në një kohë që aktorët duhet të merren me teatër.

“Kjo që po ndodh është e tmerrshme, është skandaloze. Të vijnë ca njerëz dhe të shembin këtë tempull, është e frikshme. Është e frikshme dhe ajo që po na bën ne diktatura sot, është më keq se ajo që diktatura i bëri At Zef Pllumit. Këta na detyrojnë të merremi me politikë e të lemë teatrin”, tha Derhemi. Arben Derhemi ka qenë ndër të paktët aktorë të Teatrit Kombëtar, që po mbështet rezistencën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ditën e diel, në protestën e organizuar me urgjencë pas publikimit të draft-projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjes së kontratës me objekt ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, Derhemi u shpreh për reagim, deri në “mbrojtje me gjak” të TK-së.

“Të gjithë bashkë do shkojmë deri në grevë urie. Vetëm kur të kalojnë mbi trupat tanë do të shembet Teatri Kombëtar. Nuk e kuptoj ku janë aktorët e tjerë të teatrit. Çfarë prisni që t’ju bëjë më shumë drejtori juaj, çfarë prisni t’ju bëjë më shumë Kryeministri juaj? Deri ku do shkojmë? Do na përdhunojnë ndonjë ditë. Nuk ka më vend për tolerancë. E vetmja rrugë është lufta. Merrni hunjtë dhe ky teatër do mbrohet me gjak, do apo s’do Kryeministri shqiptar. Do të mbrojmë të gjithë bashkë historinë e këtij vendi, atë që kemi dashur dhe do të duam gjithnjë, që të mos thonë maqedonasit që na thonë shpellarë. Populli i Tiranës të mbështesë Teatrin Kombëtar deri në akte sublime, deri në grevë urie”, do të thoshte Derhemi.

ME TE LEXUARAT