Pritet rritje e çmimeve në bregdet, dhomat shkojnë nga 35 euro e lart

Shqipëria nuk ofron turizëm të mirëfilltë elitar, të paktën edhe për disa vite. Investimet në ndërtime turistike janë të përqendruara në hotele të vegjël, kryesisht familjarë, ose në raste të veçanta në komplekse të vilave luksoze në bregdet. Resortet e mëdha, me standarde të larta shërbimi, që do të sillnin një model të ri turizmi pothuajse mungojnë. Megjithatë, incentivat fiskale të miratuara viitn e kaluar duket se po nxisin investimet e reja në këto struktura. Nëntë është numri total i aplikimeve për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje në vendin tonë, që prej miratimit të ligjit i cili siguron lehtësira fiskale për këtë kategori . Sipas burimeve nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit duket se hapat e ndërmarrë së fundmi nga qeveria po zgjojnë interesin e investitorëve për ndërtimin e strukturave të tilla . Kjo kornizë ligjore lehtësuese nga ana financiare ka tërhequr vëmendjen e shumë investitorëve të tjerë të cilët vijojnë aplikimet për statusin “investitor strategjik” ku shumë prej tyre janë rrëzuar nga komiteti i investimeve strategjike dhe vetëm tre kanë arritur të plotësojnë kushtet.

Një resorti me 5 yje me status special është duke u ndërtuar në një prej zonave bregdetare, ajo e Gjirit të Lalzit. Ky resort po ndërtohet nga një kompani shqiptare në partneritet me një tjetër kompani spanjolle . Ndërtimi i hoteleve të tilla, sipas qeverisë pritet të sjellë një zhvillim ekonomik, me theks nxitjen e turizmit. Resorti në fjalë zë një sipërfaqe prej 34 hektarësh. Vlera e ndërtimit kap shifrën prej 88 milionë euro. Parashikohet që vetëm gjatë fazës së ndërtimit të këtij projekti me 5 yje, të jenë të punësuar 500-600 persona. Përfundimi i ndërtimit të këtij resorti pritet të jetë në vitin 2019, ku do të punësohen 700 persona në resort dhe mbi 600 të tjerë sezonalë. Por ajo që vihet re është orientimi i biznesit për ndërtimin e vilave luksoze, të cilat janë disa fshatra turistikë të tjerë në zonën e Gjirit të Lalzit janë bërë tërheqëse për bizneset, pasi një banesë atje merr statusin special.

Kliko per me shume info

Kriteret ligjore

Sipas ndryshimeve të fundit ligjore , hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatim-fitim për një periudhë 10-vjeçare, nëse arrijnë të përfitojnë statusin special. Efektet e përjashtimit fillojnë që nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se tre vjet nga marrja e statusit special. Në maj të 2018-ës, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin mbi kriteret që duhet të plotësojë çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”. Sipas vendimit, investimi në ndërtimin e një strukture akomoduese me status special duhet të bëhet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit dhe aplikuesi duhet ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave të tilla. Në vendim përcaktohet se operatori menaxhues duhet të ketë investuar në ndërtim dhe menaxhon të paktën 5 struktura të tilla akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë në pronësinë direkte të aplikuesit ose operatorit ose administrohen nga ata dhe ndodhen në të paktën tre vende të BE. Në rast të kundërt aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtim dhe menaxhon të paktën 8 struktura akomoduese jashtë vendit. Apikuesi duhet të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për taksat dhe tatimet si dhe të mos jetë objekt i procedurave të falimentimit ose likuidimit. Lidhur me vlerën e investimit, vendimi përcakton se për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje, investimi duhet të kapë vlerën jo më pak se 8 milionë euro dhe për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje të paktën 15 milionë euro. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton dokumentacionin që duhet dorëzuar si dhe tarifat e aplikimit të cilat janë: për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, 200 mijë lekë dhe me 5 yje, 300 mijë lekë. Vlerësimi i aplikimit për dhënien e statusit do të bëhet nga komisioni në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Çmimet fillojnë nga 35 euro nata.

Këtë vit, çmimet e dhomave në bregdet pritet të shënojnë rritje, si pasojë e shtimit të turistëve dhe kufizimit të kapacitetit të strukturave akomoduese. Deklarata, e cila mbështetet nga Shoqata e Hoteleri-Turizmit, duket se është edhe më e vërtetë sa i takon segmentit të turistëve të huaj dhe shqiptarë që prenotojnë përmes internetit.

Të dhënat e “Booking“, platformës më të përdorur në Shqipëri për rezervime, flasin për një numër të madh hotelesh apo individësh që i listojnë më shtrenjtë këtë vit dhomat në dispozicion. Shtrenjtimi vihet re edhe përgjatë periudhave të ndryshme të sezonit. Nëse në qershor 65% e strukturave listohen në kategorinë e çmimit nën 50 euro, në fillim të korrikut ky raport zbret në 50%.Sipas të dhënave nga Shoqata e Hoteleri -Turizëm, shtatori është muaji që ofron edhe çmimet më të mira, për ata pushues që zgjedhin të rrezikojnë disi me motin gjatë kësaj periudhe, për shkak se ka një zbritje të menjëhershme prej 17 eurosh. Çmimet e mësipërme pasqyrojnë vetë listimet e pronarëve të dhomave, ndaj paraqesin ofertën dhe çmimi final mesatar pritet të jetë lehtësisht më i ulët. Ndërkohë, vihet re një fenomen, ku gjatë periudhës më të ngarkuar në gusht, numri i dhomave të listuara zbret ndjeshëm për shkak të rezervimeve që pronarët e strukturave kanë nga të njohurit apo pushuesit e shpeshtë.

Numri i turistëve në rritje

Bilanci progresiv i katërmujorit ngelet me rritje të turistëve të huaj. Për katër muaj, Shqipërinë e vizituan 1 milion e 28 mijë shtetas të huaj, në rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes ka rënë ndjeshëm, po të kemi parasysh se për tremujorin rritja kishte qenë 12.5%. Kosova dominon numrin e vizitorëve nga jashtë në Shqipëri me afro 347 mijë në katër muaj. Numri i vizitorëve nga Kosova është në rritje me rreth 6% për katërmujorin e parë, pas rënies së vitit të kaluar. Vizitorët prej vendeve fqinje përbënin rreth 80% të numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj në katër muajt e parë të vitit 2018. Megjithatë, vizitat nga vendet fqinje, kryesisht lidhen me udhëtime pune dhe tregtie, më shumë sesa me qëllime turistike. Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë shtetit u rritën gjatë muajit prill, me 5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në katër muajt e parë të vitit, shqiptarët kanë kryer 1.56 dalje jashtë vendit, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Operatorët: Ofrojmë 70 mijë shtretër

Sipas operatorëve turistikë, situata është përmirësuar krahasuar me vitet e tjera. Ata shprehen për revistën “Scan Magazine“ se ka përmirësime edhe në cilësinë e shërbimit, por mbetet ende shumë për t’u bërë për infrastrukturën dhe njësitë akomoduese, të cilat nuk janë të mjaftueshme. Aktualisht, vendi ynë ofron vetëm 70 mijë shtretër, por kjo nuk mjafton nisur nga fakti se për 2018-ën Shqipërinë pritet ta vizitojnë një numër shumë më i lartë turistësh të huaj. Më herët, sipërmarrës në këtë sektor kanë ngritur shqetësimin se nuk ka pasur investime dhe shërbimet për turistët nuk janë në nivelin e duhur. Duke i kërkuar qeverisë që të kthejë sytë nga investimet në turizëm si në infrastrukturë, pastrim, shërbime dhe të ketë projekte konktete, pasi sipas tyre konkurrenca në rajon është mjaft e ashpër.

Sipas Unionit Turistik Shqiptar, turizmi i përqendruar më së shumti në atë bregdetar, ka një kontribut afro 27 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. E ndërsa listohen rreth 2300 fshatra me potencial turistik, vetëm 20 prej tyre janë të aksesueshëm nga pikpamja e infrastrukturës. Kryetar i Unionit të Turizmit Shqiptar, Rrahman Kasa thekson për revistën “Scan“ si mjaft të rëndësishëm faktin se duhet një bashkëpunim i sektorit privat me atë shtetëror për të pasur zhvillim në turizëm. Lidhur me uljen e TVSH-së, Kasa theksoi se kjo ndihmon në uljen e informalitetit. Megjithatë, ai shton se hotelet duhet të përballen me detyrime më rigoroze për zbatimin e standardeve mjedisore dhe cilësore. Ai e quan të pafalshme që një hotel në breg të detit të mos përgjigjet për ujërat e ndotura apo për zhurmat e shkaktuara. Ndërsa sa i takon kohëzgjatjes së sezonit turistik, kreu i Unionit të Turizmit Shqiptar, shprehet se duhet që të shtrihet në të katërta stinët, gjë e cila do të ndihmonte sektorin të sillte akoma më shumë të ardhura në ekonomi. Sipas Kasës, gjithë këto vite bregdeti është përzgjedhur më shumë, por ai që ngelet ende i papromovuar është turizmi malor. Ai kërkon vëmendjen e qeverisë për të shmangur të gjitha pengesat e zhvillimit të këtij sektori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.