"Xhafaj na mashtroi, nuk ka shqiptar që dënohet në Itali dhe nuk bën burg"

Aktualitet

Analisti Mark Marku, të mërkurën, deklaroi se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk është treguar i sinqertë me dënimin e të vëllait në Itali.

Marku në emisionin “Opinion”, tha se Xhafaj më parë është shprehur se i vëllai është dënuar për një çështje; por pa specifikuar se ai është dënuar për trafik droge.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ne kemi menduar se ai ka bërë një faj të çfarëdo dhe ka kryer dënimin, pasi në këtë rast faji nuk është i përjetshëm, mbaron dënimin dhe vazhdon jetën si të gjithë të tjerët. Historia është krejt ndryshe, ka qenë një person që është i vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar në Itali dhe i kërkuar. Unë nuk di nëse gjykatat italiane dënojnë një njëri dhe ai nuk përfundon në burg”,- tha Marku

Marku hoqi paralele kur tha se nuk ka raste të asnjë shqiptari që të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë në shtetin italian dhe të mos bëjë burg. Ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm ekziston një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Lartë Italiane me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge. Vepra penale është kryer kur Agron Xhafaj ka qenë rreth 25 vjeç, por nga sa foli vetë ministri në një konferencë këtë të mërkurë, asnjëherë nuk ka pasur urdhër arresti ndërkombëtar për vëllain e tij.

Kjo do të thotë se ndaj Agron Xhafajt ka pasur vetëm urdhër arresti kombëtar, pra vetëm në Itali. Që përkthehet se, nëse vëllai i ministrit do të shkelë në Itali ai arrestohet në ekzekutim të vendimit të gjykatës. Po sot, Agron Xhafaj në një deklaratë me shkrim lëshuar për mediat, tha se do të vetëdorëzohet pranë autoriteteve italiane, në kushtet kur ndaj tij po hidhet baltë nga opozita shqiptare, dhe që sipas tij po cënon edhe karrierën politike të vëllait ministër. Dënimin e tij nga gjykata italiane e bëri publik për herë të parë, pak ditë më parë, Partia Demokratike.

Ndërsa tashmë vëmendja është vendosur në një audio-përgjim që PD ka publikuar ku pretendon se është bisedë e Agron Xhafës me një trafikant droge, përgjim për të cilin ka nisur një hetim. Agron Xhafaj mohoi të jetë zëri i tij në përgjim, ndërsa ngriti padi ndaj zyrtarëve demokratë që publikuan skandalin. Vetë ministri Xhafaj sot foli për një manipulim nga persona të lidhur me mafien, të cilët bënë që edhe vetë PD-ja sipas ministrit të bie viktimë e kësaj audio-përgjimi të montuar.

ME TE LEXUARAT