Protesta e opozitës/ 1500 efektivë në terren, siguri e lartë për institucionet. Ja plani i policisë

Aktualitet

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për protestën e opozitës që do të mbahet të shtunën më 26 maj në orën 11 në kryeqytet. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se do të aktivizohen rreth 1500 policë nga komisariatet e Tiranës, forcat Shqiponja, FLO dhe FNSH për ruajtjen e rendit gjatë protestës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të mbahet protesta do stacionohen edhe ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës. Vëmendje i është kushtuar ruajtjes së institucioneve të cilat do të jene nën ruajtje nga reparti për sigurinë e brendshme dhe ceremonialin si edhe nga Garda e Republikës, raporton BW.

Masa ka marrë edhe policia rrugore. Do të ketë devijim trafiku në aksin që lidh bulevardin me qendrën dhe do të bllokohet qarkullimi rrugor përgjatë bulevardit. Kufizime do të ketë edhe në rrugët lidhëse.

Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në këtë hapësirë që prej të premtes. Autobusët që do të sjellin protestuesit nga rrethet nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit “Asllan Rusi” ndërsa nga ana jugore tek Fakulteti Ekonomik.

Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët ndërlidhëse të tij.

Plani i masave u hartua nga Policia e Shtetit dhe ajo e Tiranës bazuar në informacionet e marra nga agjentët si edhe shërbimi informativ shtetëror.

ME TE LEXUARAT