Përgjimi 210 sekonda i Agron Xhafajt, zbulohen prapaskenat. Kush janë ‘bashkëpunëtori X’ dhe ‘Ermali’

Aktualitet

Partia Demokratike publikoi një përgjim ambiental të vëllait të ministrit të Brendshëm, vetëm 24 orë pasi deputeti i saj, Ervin Salianji, pyeti publikisht Fatmir Xhafajn nëse Agron Xhafaj e vijon veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë për “Panorama” se audiopërgjimi i “Bashkëpunëtorit X” dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është realizuar në qytetin e Vlorës në gjashtë muajt e fundit.

Ky detaj, sipas demokratëve, e rëndon akoma më shumë pozitën e Fatmir Xhafajt, pasi si ministër i Brendshëm, ai ka ndihmuar të vëllain të ushtrojë aktivitetin kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. PD do të vijojë edhe sot me prova të reja që implikojnë përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e lëndëve narkotike, ndërkohë që pret një reagim nga qeveria për ministrin e Brendshëm të saj.

Të njëjtat burime sqarojnë se përgjimi ambiental mes “Bashkëpunëtorit X” dhe Agron Xhafajt është realizuar në biznesin privat të vëllait të ministrit, një lokal në katin e dytë të një pallati pranë shkollës “Pavarësia” në Vlorë.

“BASHKËPUNËTORI X”

Burime pranë Partisë Demokratike konfirmojnë për “Panorama” se personi që takohet me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, i cili në përgjimet e PD-së etiketohet si “Bashkëpunëtori X” është një skafist i dënuar në Itali.

Sipas të dhënave, “Bashkëpunëtori X” ka kryer me qindra herë trafik të lëndëve narkotike nga Vlora në drejtim të Italisë. “Bashkëpunëtori X”, sipas burimeve nga selia blu, ka kryer një dënim prej 7 vitesh me burg në Itali për trafik të lëndëve narkotike dhe me Agron Xhafajn ka pasur njohje të hershme si pasojë e ushtrimit të aktivitetit kriminal.

“SHOKU I NGUSHTË”

Në përgjimin e publikuar nga PD, vëllai i ministrit Xhafaj i kërkon “Bashkëpunëtorit X” të takohet me një person me emrin Ermal, i cili do ta ndihmojë për të siguruar rrugën e kërkuar. Të dhënat e siguruara nga PD flasin për një funksionar të Policisë së Shtetit në Vlorë me emrin Ermal, i cili ka qenë nën urdhrat e Agron Xhafajt, sa i takon ushtrimit të veprimtarive të jashtëligjshme. Sipas PD-së, Agron Xhafaj falë mbështetjes që kishte nga vëllai i tij Fatmir Xhafaj, kishte vënë nën kontrollin e tij funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit.

ME TE LEXUARAT