Kosovë, nëntë persona dënohen për planifikim sulmesh terroriste

Kosovë&Rajon

Në Kosovë Gjykata Themelore shpalli fajtor dhe dënoi nëntë persona të cilët në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin sulm ndaj përfaqësueses izraelite te futbollit gjatë një ndeshjeje që zhvillohej në Shqipëri. Ndeshja Izrael-Shqipëri zhvillohej në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, që zhvillohet sivjet në qershor.

Visar Ibishi, u dënua me 10 vjet burg, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga një vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë. Ndërsa, Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjyqtari i rastit, që dënoi nëntë personat, Hamdi Ibrahimi, tha se vendimi për dënimin e këtyre personave ishte i duhur,

"Ne besojmë se vendimin që e kemi shpallur e kemi shpallur në emër të qytetarëve të Kosovës dhe besojmë se ata plotësisht na përkrahin në këtë vendim. E them këtë sepse, në këto troje, ekstremizmi fetar nuk mund të zerë vend. Dhe këto veprime që të akuzuarit kanë dashur t'i ndërmarrin, janë me qëllim që në këto troje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të shkaktohet një klimë e pasigurisë, të futet elementi i ekstremizmit dhe me vepra terroriste të destabilizohet vendi. Këto veprime për neve janë të papranueshme", tha gjyqtari Hamdi Ibrahimi.

Operacioni për arrestimin e këtyre të dënuarve për terrorizëm ishte zhvilluar në vitin 2016, në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë. Në atë operacion u arrestuan 19 persona, të dyshuar për lidhje me grupin militant islamik ISIS, dhe planifikim sulmi terrorist në Shqipëri dhe Kosovë. Policia në atë kohë tha se "ka parandaluar sulme terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit".

Disa nga të dënuarit sipas gjykatës kanë pasur lidhje me shqiptarin e Kosovës Lavdrim Muhaxheri, i vetëdeklaruar kohë më parë "udhëheqës i shqiptarëve në grupin e ashtuquajtur ISIS dhe nga ai kanë marrë instruksione për të sulmuar përfaqësuesen e shtetit të Izraelit në Shqipëri. Policia e Kosovës, vitin e shkuar njoftoi se ka informacione, që kosovari Lavdrim Muhaxheri, është vrarë në Siri vitin 2017.

Në aktakuzë thuhet se dy të pandehurit, që u dënuan (18.05) "gjatë muajit tetor të vitit 2016, sipas kërkesës së Lavdrim Muhaxherit, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe atentat ndaj ndërkombëtarëve ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë".

"Ata kanë pasur qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, prandaj me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste”, thuhej në aktakuzë.

Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, mbi 300 iu janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i bërë në vitin 2015 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhej se që nga fillimi i konfliktit në Siri e deri në muajin janar të vitit 2015, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Ky numër u rrit në vitet e fundit. Deri tani sipas të dhënave zyrtare dhe jozyrtare, afro 60 kosovar kanë humbur jetën në këto luftëra. Deri tani sipas të dhënave të policisë, 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta nga ta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe nxitje e rekrutim të luftëtarëve.

Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Parlamenti i Kosovës në fillim të vitit 2015 ka miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t'u bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkret që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që ҁon në terrorizëm.

ME TE LEXUARAT