Haradinaj: Kosova, gati për liberalizimin e vizave

Kosovë&Rajon

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj takoi sot delegacionin e BE-së për vlerësim të progresit në fushën e sundimit të ligjit, të udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendës drejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.

Kryeministri Haradinaj paraqiti të arriturat e Qeverisë në sundim të ligjit, respektivisht përmbushjen e të gjitha kritereve në fushën legjislative, ku theksoi punën e cila është bërë në procesimin e ligjeve të nevojshme të pakos për sundim të ligjit, siç janë ai për parandalimin e konfliktit të interesit, prokurorinë e shtetit, azilin dhe të huajt, financimin e partive politike etj, dhe projektligjet e fushës së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç janë Ligji i Agjencisë Kundër Korrupsion, deklarimin e aseteve, mbrojtjen e informatorëve dhe autorizimeve të shtuara për konfiskim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Haradinaj theksoi se me takimet e nivelit të lartë që mbahen nën patronatin e Kryeministrit është rritur llogaridhënia e institucioneve relevante.

“Në fushën e sigurisë Kosova ka shënuar sukses dhe mekanizmat e sigurisë tash janë më të fokusuara dhe më llogaridhënëse. Me të marrë Raportin e Progresit, Qeveria ka zhvilluar Planin e Veprimit për të adresuar sfidat e përmendura në Raportin e Komisionit Evropian 2018 në mënyrë specifike dhe të saktë. Kosova gjithashtu ka bërë progres në transparencë duke i publikuar kontratat publike dhe duke u përgjigjur në të gjitha kërkesat për qasje në dokumentet zyrtare. Prioritet mbeten politikat e llogaridhënies, efektivitetit institucional dhe transparencës”, shtoi Haradinaj.

Kosova ka punuar shumë në përmbushjen e kritereve dhe është e përkushtuar që të adresojë me sukses sfidat e mbetura.

Kryeministri potencoi se Kosova është gati për liberalizimin e vizave./Oranews/

ME TE LEXUARAT