Hahn: Shqipëria e meritoi rekomandimin, peshqit e mëdhenj para drejtësisë

Politikë

Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn ka bërë thirrje për një perspektivë të qartë të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Eurokomisioneri theksoi se rekomandimi për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk është i nxituar, pasi vendet do të arrijnë progresin e nevojshëm gjatë procesit të anëtarësimit. Në qershor, Hahn pret që Bashkimi Europian të nisë zyrtarisht negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në prag të samitit të Sofjes mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, komisioneri europian për zgjerimin Johannes Hahn ka kërkuar hapjen e negociatave të anëtarësimit për gjashtë vendet e rajonit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në një intervistë për gazeten gjermane Stuttgarter Zeitung, Hahn i është përgjigjur dyshimeve brenda unionit europian se rekomandimi për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë është i nxituar.

Hahn: Mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk mund të them se Shqipëria dhe Maqedonia janë gati për anëtarësim. Sidoqoftë, reformat e nevojshme mund të arrihen më mirë gjatë procesit të anëtarësimit. Merrni shembullin e korrupsionit.

Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që mund të krahasohet me tonën. Por në bisedimet për anëtarësim, ne i kushtojmë vëmendje faktit nëse ligjet janë zbatuar, nëse rastet korruptive janë sjellë përpara drejtësisë dhe peshqit e mëdhenj nuk janë kursyer. Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat.

I pyetur nëse qeveria federale e Gjermanisë mbështet kursin e zgjerimit, Hahn u përgjigj kështu:

Hahn: Gjermania luan një rol të rëndësishëm në këtë proces. Qeveria federale me në krye kancelaren Angela Merkel, është një përkrahëse e përkushtuar e zhvillimit të një perspektive europiane për Ballkanin Perëndimor. Por qeverisë federale i duhet mbështetja parlamentare, që unë besoj se e ka në Bundestag. Në qershor pres që Komisionit Europian t’i jepet detyra e përgatitjes së negociatave me Shqipërinë dhe ish-republikën jugosllave të Maqedonisë.

ME TE LEXUARAT