Euro merr goditjen e radhës

Aktualitet

Monedha e përbashkët ka shënuar sërish rënie në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme, ndonëse ritmet e nënçmimit janë ngadalësuar në krahasim me ditët e mëparshme.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 126.61 lekë, me një rënie prej 0.03 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Vetëm gjatë kësaj jave, euro ka humbur 0.53 lekë, duke e çuar monedhën e përbashkët në një tjetër rekord të ulët të këtyre 10 viteve, në nivele që nuk ishin parë që nga muajt e parë të vitit 2009.

Për pesë muajt e parë të këtij viti, mesatarja e këmbimit të monedhës së përbashkët ishte 130.9 lekë, më e ulëta që nga viti 2008, kur mesatarja e vitit ishte 122.8 lekë. (për 2009-n, mesatarja e këmbimit për gjithë vitin ishte 132.1 lekë), për tu ngjitur pastaj vitet e mëpasshme në rreth 139-140 lekë, përpara se të fillonte sërish rënien në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, euro ka rënë me 6.5 lekë, ose 4.85%. Arsyeja kryesore mbetet oferta më e lartë sesa kërkesa. Oferta sipas ekspertëve vjen nga kanalet formale (investimet, remitancat, shërbimet si turizmi, apo bizneset e call center dhe forex) dhe informale, që po kanalizohen përmes tregut të pasurive të paluajtshme. Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë ndikuar rënien e fortë në muajin e fundit janë transaksionet e bankave për konvertimin e kapitalit nga euro në lekë, ndikim që pritet të jetë afatshkurtër.

Më të prekur nga kjo situatë rezutojnë eksportuesit, të cilët edhe gjatë ditës së sotme i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të analizojë efektet që po jep zhvlerësimi i monedhës së përbashkët në aktivitetin e tyre si dhe të gjenden shkaqet e kësaj rënieje, që sipas tyre nuk reflekton ecurinë normale ekonomike. “Shqetësimi ynë është se nuk po kuptojmë deri ku është rënia. Kemi bërë një analizë sektoriale dhe për çdo kompani. Në fund të vitit do kuptojmë pasojat. Duhet të jemi korrekt në deklaratat tona.

 

Ndikimin më të madh do ta kenë produktet ‘Made in Albania’. P.sh., sektori i inputeve të ndërtimit, bimët mjekësore dhe kompanitë fason. Ne jemi në të njëjtin mendim që tregu është i lirë. Nuk mendojmë që është si pasojë e rritjes ekonomike, por si pasojë e aktiviteteve informale dhs kriminale. Kërkojmë të bëjmë një tryezë me qeverinë për të gjetur rrugëzgjidhje të përkohshme. Prodhuesit nuk do të falimentojnë.”- tha z. Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve.

Të fituar rezultojnë importuesit, që i marrin produktet më lirë, por dhe ajo pjesë e prodhuesve që e merr më lirë lëndën e parë. Nga individët përfitojnë ata që i kanë kreditë në euro dhe të ardhurat në lekë, ndërsa humbin ata që paguhen në euro. Më të lira do të jenë paketat turistike. Nga ana tjetër, rënia e euros ka amortizuar rritjen e çmimeve të apartamenteve që ende kuotohen në monedhën e përbashkët.

I fituar është dhe buxheti i shtetit, të cilit i ulet kosto e shërbimit të borxhit të jashtëm./Monitor.al

ME TE LEXUARAT