Vrasja e Azem Hajdarit, ekstradohet nga Turqia ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia

Aktualitet

TIRANE-Ekstradohet në Shqipëri Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishes, i denuar me 25 vjet heqje lirie per vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Avioni me të cilin udhëtoni nga Stambolli Haxhia është ulur në Rinas mbrëmjen e sotme. Ish-bodigardi i Sali Berishës ka zbritur në aeroportin e Rinasit në orën 20:10. Pas mbërritjes në aeroport, ai do shoqërohet nga Rinasi për në paraburgimin e 313.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Eskorta me dy makina të blinduara do të dërgojë Haxhinë në burgun 313, ndërsa brenda 48 orëve ai do të dalë para gjykatës për t'u njohur me dënimin prej 25 vitesh, si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Në momentin e mbërritjes në aeroport nuk ishte asnjëri nga familjarët e Izet Haxhisë, por as avokati i tij Fran Dashi.

Ekstradimi dhe rihapja e dosjes Hajdari

Ditën e sotme pala shqiptare i dorëzoi kërkesën palës turke për ekstradimin në rrugë diplomatike. Kërkesa e Ministrisë shqiptare të Drejtësisë i është dorëzuar ambasadës shqiptare në Ankara përmes Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ambasada shqiptare ia ka përcjellë Ministrisë së Jashtme turke, e cila e ka dorëzuar shkresën me kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë.

Ish-truproja i Presidentit Berisha u arrestua në vitin 2006 në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke pak javë më parë. Ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ish-truproja i Sali Berishës nuk e ka pranuar kurrë. Ai kërkoi që të ekstradohet dhe të përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare, ndërsa do të mbrohet nga avokati Fran Dashi.

Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu 12 shtatorin e vitit 1998./Shqiptarja.com

ME TE LEXUARAT