Basha mesazh Ramës e Xhafajt: Nëse i ndodh gjë dëshmitarit X e gazetarit, do përgjigjeni

Politikë

Kreu i PD Lulzim Basha akuzon kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se kanë vënë në lëvizje një skenar kriminal për të kërcënuar dëshmitarin X dhe gazetarin Jetmir Olldashi. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha u ka dërguar një mesazh Ramës dhe Xhafajt, duke u shprehur se nëse u ndodh gjë dëshmitarit X dhe familjarëve të tij, apo edhe gazetarit Olldashi, ata do të mbajnë përgjegjësi.

“Çdo përpjekje për të blerë dëshmitarin X i zhyt edhe më thellë Xhafajn e Ramën në skandalin ku janë përfshirë. Deklaratat nxjerrin zbuluar frikën dhe përfshirjen e tyre në këtë veprimtari kriminale për të mbuluar narko-aferën e Agron Xhafajt. Kanë vënë në lëvizje një skenar kriminal, ‘bli dëshmitarin, ose likuido dëshmitarin ose familjen e tij’.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kjo është prova më e qartë e rënies totale të shtetit, kapjes totale të qeverisë Rama nga krimi. Hartimi dhe zbatimi i këtij skenari është arsyeja e vetme pse Xhafaj mbahet me thonj pas karriges së ministrit të Brendshëm.

I përsëris sot Ramës dhe Xhafës paralajmërimin e prerë se për çdo hap që hidhet për të vënë në presion Albert Veliun dhe familjen e tij, si dhe gazetarin, përgjegjësia do të jetë e juaja. Ndal presionin mafioz ndaj dëshmitarit X dhe gazetarit Olldashi”, tha Basha.

Sakaq, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e së shtunës.

“Kërcënimet ndaj tyre janë rritur ethshëm para protestës së të shtunës. E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë, ndaj ju ftoj të gjithëve të na bashkoheni në protestën kundër kësaj qeverie, e cila ka vepruar kundër interesave të qytetarëve të këtij vendi, duke bashkëpunuar me krimin për të mbajtur pushtetin. Të gjithë bashkë më 26 maj në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”, dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit””, e mbylli kryedemokrati Basha fjalën e tij.

ME TE LEXUARAT