Pasi i shpëtoi atentatit, zbardhet dëshmia

Aktualitet

Nuk kam asnjë lloj konflikti tjetër veç konflikteve për pronat”, mësohet të ketë deklaruar para hetuesve 38-vjecari Ervin Memo, i cili i shpëtoi shpërthimit të një sasie eksplozivi të vendosur në automjetin e tij tip Benz me targa “AA 270 IV”, në orët e vona të së shtunës.

Mësohet se 38-vjecari është shprehur para hetuesve se kishte konflikte vetëm për shkak të pronave, por se nuk dinte se kë të etiketonte si përgjegjës për këtë gjë. Kjo, pasi sipas tij, konfliktet nuk kishin qene aq të ashpra sa të dyshonte se dikush mund ta vriste. Ndërkohë, mësohet se ai ka treguar se gjithçka ka ndodhur gjatë pak sekondave.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

I plagosuri mësohet të ketë pohuar se sapo ka hipur në makinë dhe e ka ndezur, në çast mjeti është copëtuar si pasojë e shpërthimit.

Gjithashtu nga verifikimet paraprake është konkluduar se 38-vjeçari Memo përdorte kryesisht mjete të tjera për të qarkulluar, ndërsa Benzin në fjalë e linte të parkuar para shtëpisë së tij, aty ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë.

Sipas burimeve, veç motivit të dyshuar për konflikte pronësie, hetuesit janë duke verifikuar të gjitha pistat e mundshme deri në konkludimin e një versioni përfundimtar. Janë duke u shoqëruar për t’ju marrë deklarime të gjithë personat që dyshohet të kenë pasur konflikte pronësie me 38-vjecarin Memo, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye të sekretit hetimor. Pritet që në ditët në vazhdim ekspertët e kriminalistikës të përcaktojnë se në çfarë pjese të makinës ishte vendosur lënda plasëse si edhe të rindërtohet dinamika e shpërthimit. Familja e 38-vjeçarit ka trashëguar troje në qytetin e Fierit, pranë unazës së re, ku është ndërtuar edhe një pallat që është në proces legalizimi.

Ndërkohë, mësohet se familja Memo pretendonte pronësinë e disa sipërfaqeve toke dhe për këtë gjë ka qenë palë në procese gjyqësore. Banorët e zonës janë shprehur se anëtarët e familjes Memo ishin të rregullt e punëtore dhe se nuk dinë që të kenë pasur probleme. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë të disa subjekteve private që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Ka nisur verifikimi i pamjeve edhe të ditëve të kaluara me qëllim zbulimin e personit që mund të ketë vendosur lëndën plasëse në mjetin tip Benz me targa AA 270 IV. Mbrëmjen e të shtunës, rreth orës 22:45, një shpërthim i fortë i ndodhur në lagjen 29 nëntori, pranë vendit të quajtur kryqëzimi i Grecallisë tronditi banorët e zonës.

Ka qene aktivizimi i një sasie lëndë plasëse ende të papërcaktuar që ishte vendosur në mjetin e Ervin Memos, ne momentin kur ai ndodhej në makinë, që për pak i ka marrë jetën 38-vjeçarit. Si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse mjeti është shkatërruar thuajse i gjithi, ndërkohë që 38-vjeçari ka mbijetuar duke arritur të shkojë me këmbët e tij deri tek autoambulanca, në anën tjetër të rrugës. Dyshohet se shpërthimi mund të ketë ardhur si pasojë e aktivizimit të një bombe artizanale me celular. I plagosuri ka marre dëmtime në nofullën e djathtë dhe se është plagosur nga copa xhami thuajse në gjithë trupin. Të kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, familjarët e Ervin Memos, janë shprehur jashtë kamerës se janë të tronditur e nuk dinë ç’të thonë për atë çfarë ka ngjarë. Ndërkohe, nuk kanë preferuar të prononcohen lidhur me konfliktet e pronësisë që kanë me persona të tjerë në qytetin e Fierit. /Fax Web/

ME TE LEXUARAT