Mbahet fryma për Saimir Tahirin, ja çfarë pritet të ndodhë nesër në Itali

Aktualitet

I ekstraduar që prej Janarit drejt Italisë, Nezar Seiti, i cilësuar si financieri i grupit të Habilajve dhe që ndodhet në dhomat e sigurisë në një nga burgjet italiane, nesër do të merret sërish në pyetje nga prokuroria e Catania-s.

Burime i thanë ShkodraNews se seanca e marrjes në pyetje nga prokuroria e Catania-s do të mbahet nesër për Seitin, i cili mbrohet nga avokat shqiptar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Prokurori i dosjes “Habilaj” do të marrë në pyetje financierin e grupit kriminal, i cili tronditi politikën shqiptare, pasi në përgjimet e grupit u përfshi edhe emri i Saimir Tahirit, ish-ministrit tonë të Brendshëm.

Gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Shqipëri, vlonjati Seiti nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Menjëherë pas ekstradimit në Itali, Nezar Seiti u mor në pyetje në Prokurorinë e Catania-s. Ama nuk ka detaje nga dëshmia, që pritet t’i vihet në dispozicion dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri.

Ekstradimi i Seitit ka shkaktuar përplasje mes institucioneve në Shqipëri, pasi është komentuar procedura e ekstradimit të tij drejt Italisë.

Seiti njihet si financier i grupit të Habilajve, drejtues dhe anëtarë të të cilit janë arrestuar në vendin fqinj, për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Pas ekstradimit të tij në Itali, Ministria e Drejtësisë bëri me dije se për ekstradimin e vlonjatit janë zbatuar të gjitha procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Kujtojmë se ndaj Nazer Seitit gjykata e Catania-s kishte firmosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, me dyshimin për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të struktuar kriminal.

ME TE LEXUARAT