Ish-deputetja e PD: Në politikë kam takuar shumë “kolegë” halabakë dhe injorantë. Kanë hyrë si pabuksa dhe tani janë milionerë

Politikë

Lajla Përnaska, me profesion mjeke pediatre, për dy mandate me radhë ka përfaqësuar Partinë Demokratike në Kuvend, si deputete.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në zgjedhjet e fundit, refuzoi të kandidonte për shkak se lidershipi i PD-së, emrin e saj e renditi diku nga fundi…

Në një intervistë për gazetaren Entela Resulit të DITA-s, ajo jep disa konsiderata interesante për politikën dhe politikanët shqiptarë.

Më poshtë, një pjesë nga intervista e zonjës Përnaska:

-Ju u larguat me dëshirë nga politika apo ju “spostuan”?

Mund të quhet edhe spostim, por në fakt nuk kam qenë realisht pjesë e pushtetit të maxhorancës në vitet 2005-2013. Gjatë kësaj periudhë nuk m’u dha akses në ushtrimin e pushtetit dhe kjo e vështirëson mjaft detyrën si deputete, pasi në fushatë ti bën premtime, që më pas nuk i mban dot, pasi nuk ke asgjë në dorë drejtpërdrejt. Unë jam përpjekur shumë për zonën time elektorale, që është dhe lagjja ime, ngrita një model të marrëdhënies me votuesit të paarritshëm deri më sot dhe sigurisht kam pasur gjithnjë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre, por nuk kam arritur të përmbush objektivat e mia në këtë drejtim. Edhe aq sa kam mundur të nxis investime, apo projekte në zonë, ka qenë me mjaft përpjekje, pra shumë energji e harxhuar për pak rezultate.

Edhe me sistemin elektoral proporcional që u aplikua nga 2009-ta, nuk m’u dhurua mandati parlamentar, (pozicion i sigurt në renditje), pasi në listën e Tiranës, isha nr 15. Edhe mund të tërhiqesha fare nga gara, por e mora si sfidë, kam realizuar një fushatë spektakël, duke arritur rezultatin më të lartë për zonën time, Njësia nr 2 në Tiranë dhe dola fituese, pra të dy mandatet e mia i kam fituar falë punës sime dhe mbështetjes së njerëzve dhe votuesve të mi. Askush s’më ka falur asnjëherë asgjë në politikë. Është politika që ka përfituar prej meje dhe jo unë prej saj. Për të mos folur për lojëra interesash dhe fenomenin e shitblerjes se mandateve që është bërë një plagë e rëndë e politikës.

Vlen të theksohet dhe parimi i korrektësisë me pushtetin politik. Tek ne ka ndodhur fenomeni i abuzimit me pushtetin. Dhe kjo lexohet fare thjeshtë tek individë që në politikë hynë si rrogëtare, apo si të papunë (pabuksa quhen në zhargonin popullor) dhe shndërrohen në parellinj/llesha (“kanë ndërruar lëkurën“, thotë populli). Unë e shoh pushtetin si shërbim, jo si përfitim.

Thuhet se rroga e deputetit është e lartë, por nëse e ushtron detyrën e deputetit siç e kuptoj unë, duke i shërbyer një zone elektorale, ajo rrogë është totalisht e pamjaftueshme.

Ndërsa në fushatën e 2013-ës më vendosen nr. 17 në listë, që ishte një pozicion i sigurt humbës i PD në Tiranë, kështu që e gjykova të tërhiqem fare nga gara. Për më tepër që në zonën fituese të listës ishte një ekip i dobët ne gjykimin tim (dhe jo vetëm) me figura jo përfaqësuese, pa integritet e personalitet (madje që s’kishin fare lidhje me votën e votuesin në Tiranë), gjë që e tregoi dhe humbja e thellë në kryeqytet.

-Me çfarë sfidash përballet një femër në politikë?

Më një kulturë politike vulgu që është ushqyer në vite në klasën politike shqiptare, me një terren amatorizmi politik dhe mungesë integriteti e profesionalizmi.

ME TE LEXUARAT