Incidenti në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, FSHF kërkon dënimin e deputetit socialist

Aktualitet

FSHF ka kërkuar ditën e sotme dënimin e deputetit të Partisë Socialiste Erjon Braçe, pasi ky i fundit u mësua se kishte qëlluar me çakmak gjyqtarin e ndeshjes.

Në kërkesën e paraqitur nga Federata Shqiptare e Futbollit thuhet se policia duhet të marrë masa ndaj deputetit socialist, ndërsa ka shtuar se çakmaku, mjeti me të cilin Braçe ka sulmuar gjyqtarin, është i ndaluar brenda ambjenteve të stadiumit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

KËRKESA:

Të nderuar zotërinj,

Marrim shkas nga ngjarja e ditës së hënë datë 23.04.2018, kur deputeti socialist z.Erion Braçe, kreu një gjest të shëmtuar në shkallët e stadiumit, duke tentuar të godasë me sende të ndaluara zyrtarët e ndeshjes Partizani – Skënderbeu.

Së pari, veprime të tilla antisportive, vijnë në kundërshtim me parimet e përgjithshme të etikës të parashikuara nga Kodit të Sjelljes së Deputetëve të Republikës së Shqipërisë, pasi nuk e bëjnë deputetin një model për qytetarët dhe nuk nxisin zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes për të rinjtë.

Së dyti, çakmaku përbën një send të palejuar në mjediset sportive sipas nenit 49 të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” dhe konform nenit 55 të këtij ligji, shkelja e dispozitës së sipërcituar përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga dhjetëmijë deri në pesëdhjetëmijë lekë e cila vendoset nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë komisariatit të policisë vendore.

Federata Shqiptare e Futbollit, si organi kompetent për organizimin e sportit të futbollit në vend, ka për detyrë të marrë masa për parandalimin e dhunës duke promovuar sportin e pastër dhe tolerancën.

Në këtë kuptim sjellja e deputetit është publikisht e dënueshme dhe kërkojmë të mbahet parasysh nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kuadër të vlerësimit të plotë të standardeve etike të miratuara dhe për ndikimin që këto standarde kanë pasur në punën politike të deputetit.

Rasti i deputetit Braçe nuk është i izoluar, kujtojmë se edhe në të shkuarën, deputetë të të gjitha forcave politike kanë shkaktuar incidente të panevojshme në shkallët e stadiumeve, duke i kthyer ato në “kredit” politik.

Bazuar në sa më sipër, kërkojmë nga Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit, procedimin administrativ ndaj deputetit Erion Braçe.

Me konsideratë

Sekretari i Përgjithshëm

Ilir Shulku

ME TE LEXUARAT