Ilaçi i Bashës për demokracinë/Enton Abilekaj

Nga Rrjeti

Nuk ka për të qenë e lehtë deri në qershor për opozitën. Roli që kanë marrë përsipër dhe diktimi që i bën Rama në anglisht, nuk përputhen. Basha dhe Kryemadhi, vërtetë po lobojnë ose bëjnë sikur lobojnë për një vendim pozitiv të Këshilli Europian në qershor, por Rama mbetet i pakënaqur me punën e tyre.

Madje ajo që bëri Basha në Gjermani, me grupin e CDU-CSU, jo vetëm që nuk e kënaqi Edi Ramën, por e bëri të ndizte të gjithë motorët e akuzës, në politikë dhe media. Nuk u shpëtoi akuzave për fanellën e gabuar ( jo kuqezi) as Kryetari i Komisionit të Çështjeve Euopiane në Budenstag, Krichbaum. Sulmet vijojnë, ndërsa opozita kompleksohet ndaj fushatës kuqezi, të cilën Rama e përdor me sukses për të shmangur disfatat.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Do të ishte një ndryshim historik që opozita të fliste me të njëjtën gjuhë me maxhorancën kur vjen fjala për cështje kombëtare. Shumica e shqiptarëve që nuk i besojnë dhe nuk i votojnë partitë aktuale, nuk e pranonin që për kryetarin e qarkut të Fierit, Edi Rama të bllokonte marrjen e statusit të vendit kandidat për 3 vjet. Nuk e pranojnë as sot që pas zgjedhjeve ku vendosi të hyjë vetë, Basha të bllokojë hapjen e negociatave, për të justifikuar humbjen.

Ndoshta është kjo situatë që e ka detyruar opozitën të bëjë një ndryshim kursi duke e mbyllur stinën e protestave me një të vetme në fund të janarit. Nëse nuk ka qenë strategji për të marrë meritën pasi u kuptua se Komisioni Europian do të jepte rekomandimin në prill. Në të dyja rastet, duket se nuk niset nga parimi por nga pragmatizmi, ngjan me një marrëveshje si ajo e 18 majit. Këtë herë në largësi.

Kompleksimi që Rama i bën fushatës së opozitës në Europë, në takimet bilaterale, është keqpërdorim i dëshirës dhe mosnjohjes që ka shumica e popullsisë për futjen e Shqipërisë ne Bashkimin Europian. Ndërsa mundohet të shfrytëzojë në maksimum faktin që shqiptarët janë populli më i orientuar drejt Perëndimit, Europë dhe SHBA, nxiton ta përdorë rekomandimin e KE për propagandë. Me një fjalim frymëmarrës që tenton t’u tregojë shqiptarëve se vendimi ishte historik që e shoqëroi me kërkesën që opozita të bëjë fushatë kuqezi nëpër Europë, Rama kërkon të marrë meritën e rekomandimit për vete dhe t’i lërë fajin e votimit të qershorit opozitës.

Opozita e ka pranuar sfidën, ka ulur kokën dhe po bën rolin që i ka caktuar Rama, duke pranuar se nuk është faji atij që i bën dëmet vendit, por i atij që i denoncon. Nuk është faji i maxhorancës që Reforma në Drejtësi është duke e humbur besueshmërinë për shkak të emërimeve dhe skualifikimeve të dyshimta, por i atij që e denoncon, nuk është faji i qeverisë për korrupsionin në të gjitha degët e saj, por i opozitës që e denoncon, nuk është faji i qeverisë për Raportin e Freedom House apo DASH, as për raportimet e mediave kryesore ndërkombëtare, por i atyre që I kanë denoncuar. Kështu Edi Rama, pasi i ka marrë në kontroll të gjitha pushtetet, Ekzekutiv, Legjislativ, Gjyqësor, madje edhe Mediatik, po ia arrin të mbyllë gojën e opozitës.

Ndërkohë që Rama nuk falte as historinë e trishtuar të Griseldës, që e shpërndau të tjetërsuar nëpër ambasada, opozita hyri në zgjedhjet e 25 qershorit, për të legjitimuar blerjen masive të votës, votoi pa kushte Vettingun, për t’i dhënë Ekzekutivit kontroll mbi gjyqësorin dhe në fund, hoqi dorë nga protestat për të lehtësuar represionin e një grupi njerëzish mbi të pambrojturit.

Ky angazhim i pakërkuar nga shqiptarët nuk po jep efekt tek vendet anëtare që nuk i referohen as opozitës së kompleksuar, as raportit të Komisionit Europian. Më gjithë vendimin politik të prezantuar në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor në shkurt, vendet kryesore të Bashkimit Europian, hezitojnë të votojnë për Shqipërinë. Ata nuk janë kompleksuar nga përrallat e Rusisë dhe Turqisë që tregon Edi Rama për ta, as nga përralla e luftës së mundshme që tregon Junker për të justifikuar raportin që nuk përputhet me realitetin dhe bie ndesh me raportet që vijnë nga SHBA dhe nga vetë mediat serioze europiane.

Ndërkohë që rezultati i qershorit nuk është i sigurtë, Basha lobon me një formulë të pavërtetuar, që mundohet ta paraqesë si aksiomë. Integrimi në BE jo domosdoshmërisht do të përmirësonte demokracinë në vend, sic pretendon kryetari i opozitës. Serbia është para Shqipërisë, ka hapur negociatat dhe ka përfunduar disa kapituj, por demokracia po ecën mbrapa, ndërsa Vucic po merr gjithcka nën kontroll.

Mali i Zi është përpara Serbisë, por Gjukanovic kontrollon politikën dhe ekonominë, me një flamur fals perëndimor në dorë. Turqia i hapi negociatat në 2002, por Erdogan e shndërroi sistemin ne Autokraci. BE në asnjë rast nuk ka patur ndikim pozitiv. Raportet e KE-së që flasin për përmirësime nga viti në vit, nuk janë ilaçe për demokracinë, janë serume mbijetese për lëngatën e saj, kur aspirantët për despotë ia marrin frymën.

Në këto kushte, Lulzim Basha e ka më mirë të bëj detyrën në krye të opozitës dhe jo bishtin e fshehur të autokratit. Opozita e fortë ndoshta sjell më shumë demokraci se hapja e negociatave.

ME TE LEXUARAT