Thaçi: Jam në SHBA për koordinim rreth dialogut me Serbinë

Kosovë&Rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se aktualisht ndodhet në Uashington me qëllim të koordinimeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se për fazën e re të bisedimeve, ky koordinim është i domosdoshëm.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, a mund të na tregoni paraprakisht se ku gjendeni momentalisht?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Hashim Thaçi: Në kuadër të parapërgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që do të ndodhë nesër (të premten), jam në Uashington për të bashkë-koordinuar aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që do të hyjmë në një fazë të re, të rëndësishme dhe i tërë përkushtimi duhet të jetë i koordinuar mirë dhe natyrisht i qartë për sot, por edhe për të ardhmen. Pra, do të jetë një proces që do të hap periudhën e arritjes finale të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon koordinim me të gjithë partnerët dhe miqtë, por adresa kryesore për Kosovën mbetet Uashingtoni.

Radio Evropa e Lirë: Me kë do të takoheni në Uashington?

Hashim Thaçi: Unë do të vazhdoj takimet edhe sot me Wess Mitchell (ndihmës-sekretari amerikan i shtetit) me të cilin do të diskutoj për aktualitetin që e kemi sot, por edhe hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Çka mund të pritet nga ana e juaj nga ky takim me Wess Mitchell. Keni ndonjë kërkesë në lidhje me vazhdimin e dialogut në Bruksel?

Hashim Thaçi: Nuk është çështje e kërkesës, kjo është një domosdoshmëri që është shtruar nga të gjithë akterët ndërkombëtarë sepse shteti i Kosovës ka nevojë për t’u konsoliduar në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ka nevojë për më shumë njohje, por në të njëjtën kohë, ajo që neve na duhet është fqinjësia e mirë mes Kosovës dhe Serbisë, një raport evropian që do të rezultojë me njohje reciproke, me paqe e stabilitet në rajon. Natyrisht edhe një të ardhme evropiane, që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Kjo është hera e parë që keni shkuar në SHBA para vazhdimit të dialogut. A do të thotë kjo se që nga e premtja, Kosova po hyn në një fazë të re të dialogut me Serbinë?

Hashim Thaçi: Jo, Kosova vazhdimisht koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë dhe çdo përkushtim që ka ndodhur më herët apo që ndodhë edhe sot është i koordinuar dhe harmonizuar me qëndrimet që janë në interes të përbashkët, sepse çdo përparim i Kosovës ka qenë i lidhur drejtpërdrejtë me hapat e ndërmarrë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova është tregim i suksesit të përbashkët, i angazhimeve të institucioneve të Kosovës, por edhe mbështetjes së pakursyer nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së dhe shtetet tjera. Kështu që kemi një qëllim, një objektiv.

Radio Evropa e Lirë: Në SHBA gjendet edhe presidenti i Serbisë. A jeni takuar apo do të takoheni me të?

Hashim Thaçi: Kjo është krejt e parëndësishme se kush ku gjendet. Unë jam në Uashington. Kam lexuar që ai është në Nju Jork, kështu që ka qenë një koincidencë që ka ndodhur. Por, ne kemi rrugën tonë, kemi angazhimet tona, kemi agjendën tonë, e cila është e ndarë nga ajo e (Aleksandar) Vuçiqit apo e dikujt tjetër. Kështu që i tërë përkushtimi ynë është që si Kosovë të përgatitemi. Natyrisht që edhe të tjerët kanë arsye që të jenë në OKB apo hapësirat tjera të Nju Jorkut, që të marrin mendimet apo opinionet e të tjerëve, por nga ajo që sot lexova, presidenti Vuçiq shihet që qëndrimi i faktorëve relevantë ndërkombëtarë është super i qartë – në mbështetje të konsolidimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës dhe domosdoshmërisë për arritjen e marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim mes vendeve dhe popujve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti president, çfarë janë pritjet tuaja nga raundi i nesërm në Bruksel, çfarë do të bisedohet?

Hashim Thaçi: Pres vazhdimësi të këtij procesi, nuk pres ndonjë mrekulli, por shoh një rritje të përgjegjësive dhe angazhimeve nga zonja (Federica) Mogherini që normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve tona, Kosovës dhe Serbisë të hyjë në një fazë të re, të hyjë në fazën finale, të arrihet një marrëveshje historike që do të nënkuptonte përmbylljen e të gjitha kapitujve mund të them të errësirës, konflikteve e problemeve dhe hapjen e kapitujve të bashkëpunimit të mirëkuptimit të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Vuçiq mbrëmë ka deklaruar se Serbia dëshiron kompromis me Kosovën, por që 'nuk mund të ndodhë që shqiptarët të marrin të gjitha e Serbia asgjë'. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë deklaratë?

Hashim Thaçi: Kosova është vend sovran, është vend i pavarur, ka Kushtetutën, ka ligjet e veta. Dialogu duhet të zhvillohet në suaza të raporteve të barabarta mes dy shteteve, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e njëri-tjetrit dhe jo duke pretenduar cenimin. Kosova nuk është vetëm e shqiptarëve. Kosova është vend multietnik që i takon gjithë njerëzve të Kosovës dhe vendimi i djeshëm që është historik, ai për Demarkacionin, ka treguar përgjegjësinë e lartë të shtetit të Kosovës, prandaj edhe bojkoti nga Lista Serbe ka qenë krejt i paqëndrueshëm dhe i paarsyeshëm dhe me reflektime negative, sepse vizat janë për të gjithë njerëzit e Kosovës, qofshin shqiptarë apo serbë.

Prandaj, statusi i Kosovës është përmbyllur njëherë e përgjithmonë në vitin 2008 kur e kemi deklaruar vendin e pavarur dhe sovran, por natyrisht si vende fqinje kemi ende për të diskutuar, për të negociuar, kemi ende për të punuar që me të vërtet raportet tona të jenë raporte mirëkuptimi dhe të jenë raporte shembull në rajon, por pa e cenuar sovranitetin e njëri-tjetrit.

Këtu nuk hynë askush askënd për ta mundur, por hynë në një vullnet të mirë që gjithë njerëzit dhe popujt tonë të jenë të kënaqur.

Radio Evropa e Lirë: Çka mund të përfitojë Kosova nga marrëveshja juridike nëse arrihet, ashtu siç po synohet?

Hashim Thaçi: Unë jam duke punuar dhe natyrisht tani do të punojnë gjithë skena politike kosovare që të arrihet një marrëveshje me obligime ligjore, në të cilën Kosova do të fitojë njohje nga Serbia dhe ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Natyrisht kjo do të përshpejtojë rrugën për të ardhmen evropiane për Serbinë dhe në të njëjtën kohë edhe për Kosovën.

 

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse ju, por edhe zoti Vuçiq ndodheni në SHBA, a do të thotë kjo që Uashingtoni edhe zyrtarisht po inkuadrohet në mes Kosovës dhe Serbisë?

Hashim Thaçi: Unë flas vetëm për veten dhe institucionin që përfaqësoj, shtetin dhe popullin që përfaqësoj. Agjenda ime nuk ka të përbashkët asgjë më presidentin e Serbisë. Tash jam në Uashington, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë kanë qenë pranë dhe mbështetje të fuqishme të dialogut që nga fillimi dhe (është) zotimi i mëtutjeshëm që përsëri Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë pranë nesh me neve, në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes së paqes dhe mirëkuptimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se janë krijuar tri momente jashtëzakonisht të rëndësishme për këtë fazë, sepse kemi të bëjmë tash me strategjinë që është nxjerr nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova trajtohet si shtet i pavarur dhe sovran.

Gjithashtu, tashmë kemi edhe konsolidimin e Qeverisë në Gjermani të kancelares Angela Merkel, që është themeluar Qeveria. Por edhe ri- angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se ky angazhim euro-atlantik për Ballkanin Perëndimor tejkalon dhe sfidon çdo pretendim për ndikim të ideologjive joperëndimore në Ballkanin Perëndimor.

ME TE LEXUARAT