Skema e pensioneve, diskutohet sigurimi i detyrueshëm te privati, prek të punësuarit nën 50 vjeç

Aktualitet

Qeveria ka pranuar tashmë zyrtarisht se do të ndërhyjë në skemën e pensioneve duke bërë disa ndryshime në kuadrin ligjor. Ndryshimet janë paralajmëruar edhe në deklarata publike nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke vënë theksin tek pjesa që lidhet me sigurimet për skemën në fshat.

Por “Monitor” mësoi se pjesë e debateve të fundit ka qenë edhe shtimi i kolonës së dytë në skemën e sigurimeve. Kjo kolonë është private dhe e detyrueshme dhe plotëson në total skemën me tre të tilla, ku është edhe shtetërorja e detyrueshme dhe private vullnetare. Dy të fundit janë sot ekzistuese.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Naim Hasa, administrator Fondi i Pensionit Vullnetar SIGAL konfirmon se Shoqata e Siguruesve të Jetës e Pensioneve, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë në diskutime të vazhdueshme për të gjetur një model të përshtatshëm.

“Është marrë nja angazhim politik për ndarjen e kontributit shoqëror në mënyrë të detyrueshme, kryesisht për moshat e reja nën 50 vjeç edhe në kontribut individual që do të menaxhohet nga Kompanitë Private të Pensioneve. Ky proces po drejtohet nga Ministria e Financave dhe ISSH, ku dhe shoqata jonë e siguruesve të jetës e pensioneve është palë e këtij procesi.

Sigurisht, realizimi i kësaj reforme kërkon angazhim më të madh nga të gjitha strukturat, duke u ndërgjegjësuar të gjithë për të shfrytëzuar dobitë që sjell në treg ky produkt, në radhë të parë për popullsinë e siguruar por edhe për ekonominë e vendit”, – shprehet Hasa.

Kjo do të thotë që nga totali që sot paguhet si kontribut i detyrueshëm prej 23 për qind, një pjesë e tij të kalojë në skemën private. Diskutimet janë që kjo shumë të variojë nga 3-5 për qind të totalit të sigurimit të detyrueshëm, por të gjitha këto mbeten ende në kuadrin e një debati deri në miratimin e paketës finale ligjore, që do të bëjë edhe “korrigjimet” në skemën e përgjithshme të pensioneve.

Skema e pensioneve ndryshoi përmes një rishikimi të plotë ligjor në vitin 2014 sipas një drafti të hartuar nën asistencën e Bankës Botërorë. Edhe në atë kohë, shtimi i kolonës së dytë ishte pjesë e debatit, por që nga disa palë u cilësua si e parakohshme dhe u kërkua kohë për të parë ecurinë e përgjithshme të skemës. Në atë kohë, ndërhyrja ishte emergjente duke qenë se sipas të gjithë studimeve skema rezultonte e falimentuar dhe në afatgjatë mund të përbënte një rrezik serioz për buxhetin.

Nga ajo kohë, ligji për sigurimet i është nënshtruar ndryshimeve të vogla pa shumë efekt, ndërkohë që rishikimi që sot është në tryezë debati, pritet të jetë edhe më domethënësi në pesë vitet e fundit.

Për vitin 2018, qeveria parashikon që të arkëtojë 67 miliardë lekë nga sigurimet shoqërore ndërsa që vetëm në janar është arkëtuar 10 për qind e kësaj shume. Vlera neto e aseteve të fondeve të pensioneve vullnetare në fund të vitit 2017 ishte vetëm 13 milionë euro. /Monitor/

ME TE LEXUARAT