Rama-Bushati drejt Brukselit, ja çfarë pritet me negociatat

Politikë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati do të udhëtojnë më 20 mars drejt Brukselit, ku do të organizohet një konferencë me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të PE-së Antonio Tajani, përfaqësueses së lartë të BE_së, Federica Mogherini. Konferenca është organizuar nga eurodeputeti David Sassoli dhe ajo i paraprin publikimit të ‘paketës së zgjerimit’, e cila, do të njoftohet nga BE më 17 prill.

“Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vtet e fundit, ajo është angazhuar në reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, qeverisjes, ekonomisë dhe drejtësisë”, shprehet eurodeputeti Sassoli.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ky takim parashikon një javë vendimtare për dialogun midis Tiranës dhe Brukselit, ku negociatorët shqiptarë do të jenë në Bruksel të hënën më 19 mars. Dhe fjala e fundit do të jetë për 28 vendet anëtare të BE, shkruan "g.sh".

Kushti i fundit që duhet të plotësojë Tirana është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, e cila përfshin procesin e verifikimit të përbërjes së organit gjyqësor në vend. Komisioni ka rekomanduar qysh në nëntor të 2016-s çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE dhe Shqipërisë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të vetingut.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e ka thënë para pak javësh në prani të Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker se Shqipëria i meriton negociatat, por kjo do të varet më pas nga vendimi i 28 vendeve anëtare të BE-së.

“Ne do jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Në mënyrë që vende të tjera të bashkohen me Bashkimin Europian do të na duhet që të gjitha problemet, grindjet ndërmjet vendeve kufitare të jenë të zgjidhura deri në datën e anëtarësimit”,  tha Juncker, ndërsa ishte në Shqipëri, në kuadër të turit rajonal.

ME TE LEXUARAT