SHBA, Mitchell: Në Ballkan ka rritje të rolit destruktiv të Rusisë

Kosovë&Rajon

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, tha në Prishtinë se SHBA i mbështesin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt strukturave evropiane. Relaksimi i raporteve është shumë i rëndësishëm.

Wess Mitchell, i cili viziton Kosovën për herë të parë tha se inkurajon Kosovën që ta vazhdojë dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve. Këto komente, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, i bëri në një konferencë të përbashkët për medie me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Wess Mitchell, pas Kosovës do të vizitojë edhe Beogradin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"SHBA dhe Kosova kanë një miqësi të fuqishme dhe kjo administratë është e përkushtuar që ta forcojë edhe më shumë këtë miqësi. Dua t'ju shpreh mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. E vlerësoj bashkëpunimin me Kosovën në luftën kundër terrorizmit, dhe sidomos kundër organizatës ISIS. Po ashtu dua që Kosova të jetë e angazhuar aktivisht në dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve. Me presidentin Thaçi, kemi biseduar edhe për demarkacionin me Malin e Zi dhe kjo çështje duhet zgjidhur si pjesë e rrugës drejt liberalizimit të vizave. Është po ashtu e rëndësishme që në Kosovë të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik”, tha Wess Mitchell.

Zyrtari i lartë amerikan përgënjeshtroi disa shkrime në medie, ku thuhej se "ai po fillon një turne diplomatik në Ballkan për të propozuar një plan të ri amerikan për Kosovën, me theks të veçantë për asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

"Nuk kam ardhur në Kosovë që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për atë kam ardhur dhe këtë do ta them edhe në Beograd”, tha Wess Mitchell duke konfirmuar rritjen e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit, sidomos me përhapjen e informatave siç tha "destruktive”.

"Ne kemi parë që Rusia e ka rritur rolin e saj destruktiv në Ballkan duke shpërndarë informata destruktive për të minuar institucione demokratike. Ne u kemi thënë zyrtarëve rusë që nuk është në interesin e askujt dhe as popujve të Ballkanit që të ndodhë kjo”, tha Wess Mitchell.

Thaçi: Qëllimi final është marrëveshja e paqes me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se tha se Kosova do ta vazhdojë dialogun me Serbinë me qëllimin final arritjen e një marrëveshje përfundimtare paqeje ndërmjet dy vendeve, ndërsa, hodhi poshtë spekulimet për "ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh”.

"Dialogu me Serbinë do të vazhdojë, do të çonte në një frymë pajtimi. Kosova nuk do të lejojë ndarje, shkëmbim territori apo ndonjë lloj autonomie, por marrëveshja e paqes me Serbinë do të përmbyllet vetëm sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Presidenti Thaçi. Ndërsa, sa i përket çështjes së demarkacionit temë kjo që tash për tash mbizotëron politikën kosovare, Presidenti Thaçi tha se kjo çështje duhet të kalojë në parlament sa më shpejt.

"Shpresoj që partnerët e koalicionit qeveritar të Republikës së Kosovës janë duke biseduar intensivisht me Listën Serbe dhe kjo çështje të përmbyllet në ditët e ardhshme. Askush nuk ka më asnjë arsye që ta vonojë votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, qofshin ato parti të shqiptarëve apo të komuniteteve. Është interes strategjik dhe interes shtetëror”, tha Presidenti Thaçi.

Seanca për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, sipas qeverisë së Kosovës pritet të përmbyllet këtë javë, ndonëse vetë kryeministri Ramush Haradinaj tha se akoma nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta kaluar ligjin për demarkacionin. Për të kaluar ky ligj nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës.

ME TE LEXUARAT