Andi Bushati-Ramës: Mashtrues, Nick Muzin është kanadez, jo rus

Politikë

Shkrimi i Mother Jones, i dha shansin Partisë Socialiste të nisë një fushatë akuzash për lidhje okulte, të dyshuara mes Partisë Demokratike dhe Rusisë. Por ndryshe nga gazetarët e Mother Jones, që i ndanë me kujdes faktet nga hamendësimet, Edi Rama doli me një skenar, sipas të cilit në lojë ishin fatet e vendit.

Pas intervistës së Bashës në Opinion, Edi Rama bëri një status në Facebook, ku e quajti skandal pagesën e lobistit Nick Muzin në SHBA, duke e etiketuar atë si “një mishmash korruptiv”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

 

Dhe për të bindur se kjo nuk ishte një aferë korruptive si gjithë të tjerat, shprehu habinë, se si u gjendën disa rusë bujarë për t’i dhënë Bashës gjysëm milioni dollarë.

E nga këtu, kaloi në detajet e konspiracionit, me premtimin se do të bëhet drejtësi “…nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit”

Në ato që shkruan kryeministri, dallohen tre momente të rrezikut që mund t’i vijë vendit nga Rusia dhe nga PD-ja:

Skenari do të zbatohej nga “interferenca malinje forcash të huaja”

Përdorimi i opozitës shqiptare për cënimin e imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim)

Qëllii final, “pengimi i procesit të integrimit europian dhe destabilizimi i vendit”

Kuptohet se kur flet për forca të huaja, Rama i referohet Rusisë. Skenari parashikon që gjithçka të nisë nga cënimi i imazhit të Shqipërisë.

Nëse Basha vërtet mori përsipër një detyrë të tillë nga rusët, ai rezulton të jetë një nga njerëzit më me ndikim në mediat botërore. Sepse për kanabisin dhe organizatat kriminale shqiptare, kanë shkruar mediat më serioze të globit nga SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Hollanda, Belgjika etj.

Për hashashin e Shqipërisë shkruajti BBC, Deutche Welle, Forbes, Newsweek, Financial Times dhe media të tjera me peshë. Lumenjtë e drogës që vinin nga Shqipëria i denoncuan për vite me radhe të gjitha mediat italiane pa përjashtim me investigime, reportazhe, dëshmi etj.

Por edhe sikur Lulzim Bashës dhe Rusisë, t’i jenë bashkuar redaksitë më serioze të botës në këtë komplot kundër Shqipërisë, del një problem tjetër.

Për drogën e Shqipërisë nuk raportuan vetëm mediat e huaja, por edhe shërbimet partnere, mes të cilave CIA amerikane, NCA britanike dhe sigurisht ato italiane.

Agjensitë më serioze ndërkombëtare e prezantuan njëzëri Shqipërinë si furnizuesi kryesor i Bashkimit Europian me drogë.

Ky fakt i futet si pykë skenarit që thur Edi Rama. Në këtë situatë lind pyetja se përse rusët duhej të paguanin Lulzim Bashën të fliste për drogën, kur kreu i Antimafias Italiane jepte alarmin në parlamentin italian, se vendi po i pushtohej nga kanabisi shqiptar?

Në vitet 2015 dhe në 2016, droga që vinte nga Shqipëria në Itali ishte trefishuar, konfirmonte ish kreu i Antimafias, Franko Roberti.

Antimafia hetoi për 4 vjet bandën e Habilajve. Zbuloi edhe drejtorët e Policisë së Shtetit që bashkëpunonin me trafikantët e drogës, me bekimin e ish Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, që Rama e kishte shpallur vetë si “kampionin e qeverisë”.

Në raportin e CIA-s për vitin 2017, Shqipëria konsiderohej rrugë kalimi për kokainën e Amerikës së Jugut, kryesisht nga Kolumbia, ndërsa “organizatat e narko-trafikut janë shtrirë në vendet e Europës”.

Në raportin e NCA të Britanisë së Madhe, (Agjensia Kombëtare e Krimit) për vitin 2017, shqiptarët konsiderohen si një grupim i fuqishëm, i shtrirë në të gjithë vendin (Britaninë e Madhe) dhe që kanë krijuar lidhje direkte me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine.

Nëse Rama vërtet beson në ekzistencën e një interesi rus për ta nxirë imazhin e Shqipërisë, atëherë aleatët e Kremlinit duhet t’i kërkojë që në rrënjë të shpërthimit të krimit dhe drogës vitet e fundit; tek mbrojtja që i garantohet nga njerëzit e qeverisë së tij.

Skenari kryeministror me rusë dhe demokratë vazhdon në një pikë të tretë: me pengimin e procesit të integrimit të Shqipërisë që do të rezultonte me destabilizimin e vendit.

Për të kuptuar më mirë se kush e ka fajin për këtë, vjen në ndihmë Strategjia e Zgjerimit e BE-së. Fatmirësisht dokumenti është i freskët, sepse u publikua pak javë më parë.

Bashkimi Europian ka thënë fjalët më të mira për Serbinë dhe Malin e Zi që i mirëpret në 2025. Paradoksalisht, këto janë vendet që ende kanë dilema për marrëdhëniet me Rusinë.

Ndërkohë Shqipëria sheh me dylbi hapjen e negociatave dhe askund në dokumentin e BE-së nuk përmendet opozita. Përkundrazi, flitet për njerëzit e pushtetit të lidhur me krimin.

Kur lexon të dhënat e raporteve ndërkombëtare, fjala që i shkon më shumë skenarit të Edi Ramës është “gjithëpërfshirës”, sepse pjesë e tij mund të jenë edhe shkrimet e mediave perëndimore, edhe raportet e shërbimeve sekrete të vendeve partnere.

Ky është një skenar që socialistët po e përsërisin çdo ditë në konferenca për shtyp. Se me sa qejf e ka marrë Rama, provohet  nga një status i tij në Facebook. Ka më shumë se 24 orë që e ka bërë rus Nick Muzin dhe nuk guxon t’i thotë kush, se lobisti që mori përsipër PD dhe Biniatta Trade nuk është rus, po kanadez./Lapsi.al

ME TE LEXUARAT