Ahmetaj-Bashës: Analfabet që nuk ndjek dot as fillin e abetares

Politikë

Reagon ministri i Financave Arben Ahmetaj pas deklaratës së Bashës në lidhje me raportin e FMN-së, për ekonominë e vendit.

Ahmetaj i është drejtuar kreut të PD-së me tone të ashpra, duke i thënë se nuk mund të lexojë raportin pasi është një analfabet. Sakaq, thekson se raporti i FMN-së është një raport serioz, i cili tregon qartë arritjet e padiskutueshme dhe sfidat e ekonomisë së Shqipërisë, sipas ministrit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Që Lulzim Basha nuk e njeh mjaftueshëm as tabelën e shumëzimit, ky është fakt botërisht i njohur! Që Lulzim Basha ngatërrohet edhe kur flet për paratë e partisë së tij, këtë e tregoi më së miri numri i shpjegimeve kontradiktore që dha publikisht për financimet ruse të fushatës së tij kundër Shqipërisë nëpër botë! Po që Kryetari i Opozitës ta lexojë publikisht raportin e FMN-së, si një analfabet që nuk ndjek dot as fillin e abetares, kjo shkon përtej Lulzimit si simbol paaftësie”- shkruan ministri i Financave.

Kujtojmë që Basha deklaroi se misioni i FMN-së ka bërë paralajmërime kritike dhe serioze për të ardhmen e vendit, dhe se ka lëshuar një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të keqësohet edhe më keq në të ardhmen.

Reagimi i plotë:

Që Lulzim Basha nuk e njeh mjaftueshëm as tabelën e shumëzimit, ky është fakt botërisht i njohur! Që Lulzim Basha ngatërrohet edhe kur flet për paratë e partisë së tij, këtë e tregoi më së miri numri i shpjegimeve kontradiktore që dha publikisht për financimet ruse të fushatës së tij kundër Shqipërisë nëpër botë! Po që Kryetari i Opozitës ta lexojë publikisht raportin e FMN-së, si një analfabet që nuk ndjek dot as fillin e abetares, kjo shkon përtej Lulzimit si simbol paaftësie individuale e budallallëku politik dhe rëndon qenësisht vetë institucionin e opozitës! Dhe ky është tanimë një problem i madh shoqëror, jo thjesht një boshllëk i madh politik në shoqëri.

Raporti i FMN është shumë serioz për një qenie kaq jo-serioze sa c’është opozita sot. Në raport janë të qarta arritjet e padiskutueshme dhe sfidat e pamohueshme të ekonomisë së Shqipërisë sot, e cila rritet në mënyrë të qendrueshme dhe nuk ka lidhje as me fjalën “krizë” e as me fjalë të tjera të përdorura rëndom në fletërrufetë e përditshme të Partisë Demokratike e të kryetarit të saj. Ngushëllime të sinqerta asaj partie, prej të cilës nuk kemi pritur ndonjë gjë të madhe, por që na befason përditë me brockullat e mëdha që prodhon për një konsum publik gjithnjë e më në rënie!

ME TE LEXUARAT