U hiqet ndihma ekonomike, deputet demokrate vizitojnë familjet në nevojë

Deputetet e Partisë Demokratike të Qarkut të Tiranës, Oriola Pampuri, Grida Duma dhe Rudina Hajdari vizituan disa familje, në zonën e Bathores, të cilat janë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike.

Sipas njoftimit të shoërndarë për mediat thuhet se nga informacionet që ka  PD, që nga janari dhe deri tani, nga skema ekonomike janë përjashtuar më shumë se 20 mijë familje.

Kliko per me shume info

Tiranë  janë hequr   15 000 familje

Gjirokastër janë hequr  1 600 familje

Divjakë janë hequr     825 familje

Kamëz  janë hequr     782 familje

Lushnjë janë hequr     750 familje

Kavajë  janë hequr     680 familje

Që kur Partia Socialiste ka ardhur në pushtet nga skema e ndihmës ekonomike janë përjashtuar rreth 55 mijë familje që jetojnë në mjerim.

Deputetet e partisë Demokratike ishin në familjen e Eduard Thaçit, ku ai jeton së bashku me bashkëshorten, Teftën dhe 3 fëmijët e mitur. Atyre u është hequr ndihma ekonomike dhe zonja e shtëpisë thotë se jetojnë vetëm me borxhe.

Edhe në në familjen e Ilir Brahimit, jetojnë në gjendje të mjeruar katër anëtarë, prindërit me dy fëmijë të vegjël. Por që prej janarit ata nuk marrin më ndihmën ekononomike, edhe pse jetojnë në një banesë të rrënuar.

Deputetet e Partisë Demokratike konstatuan se mes skamjes dhe lagështirës jetojnë 13 anëtarë të një familje tjetër, mes tyre 2 fëmijë të mitur. Familjes së Binak dhe Osman Mulakut në Bathore i është hequr ndihma, për të vetmen arsye, se një anëtar i tyre është punësuar në një fabrikë këpucësh.

Fitnete Murati është invalide. Ajo tregoi se nuk merr as ndihmë ekonomike, as KEMP dhe ka prej tre vitesh që jeton pa energji elektrike, me një borxh prej rreth 5 milionë lekë, të cilat është e pamundur t’i paguajë për shkak të borxheve dhe mungesës së të ardhurave.

Në familjen e Ramazan Islamajt, invalid pune, ish-ushtarak prej 42 vitesh, mbizotëron varfëria e thellë. I shtrirë në një shtrat me lagështirë, Ramazani thotë se i merr ilaçet me para borxh.  Bashkëshortja e tij është e papunë dhe i është refuzuar ndihma ekonomike.

Partia Demokratiike, që po e ndjek prej disa ditësh situatën, u ofroi të gjithë të përjashtuarve nga skema ndihmë ligjore për rikthimin e tyre në skemën e ndihmës ekonomike.

Gjithashtu, deputetja Grida Duma, siç tregohet në dokumentin bashkëngjitur, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale të bëjë transparencë për sistemin e ri të pikëve për marrjen e ndihmës ekonomike.

Prononcimi i deputetes Grida Duma:

“Qytetarët në nevojë, nuk kanë asnjë ide përse janë hequr nga kjo skemë. Nuk kanë informacion as bashkitë. Me këtë sistem online një qytetare si zonja Selvie që të bëjë aplikimin online. Nga një banesë që nuk ka drita, të shkojë e të aplikojë në internet. Kjo është reforma e famshme e ndihmës ekonomike. Merrte 12 mijë lek, nuk merr asnjë lek sot. Jetojnë me borxhe. Ajo që do bëjmë është se përveç shkresës që i kemi dërguar Ministres së Shëndetësisë për të na treguar dhe bërë transparente kriteret mbi të cilat vlerësohet marrja ose jo e ndihmës ekonomike, është që në zyrën tonë të avokatisë në Partinë Demokratike, me zyrën ekonomike me bashkinë përkatëse të ndjekim rast pas rasti të gjitha familjet që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike dhe të tregojnë që janë jo vetëm në metitën e tyre dhe në detyrimin e shtetit për t’I rifutur në skemë, por edhe për t’i treguar se kjo lloj skeme nuk funksionon dhe është e dështuar. “, deklaroi deputetja Grida Duma.

Prononcimi i deputetes Rudina Hajdari:

Deputetja Rudina Hajdari theksoi se në të gjithë terrenin e Tiranës janë hequr nga ndihma ekonomike rreth 15 mijë familje. “Në Kamëz janë hequr 752 familje nga skema e ndihmës ekonomike. Por jo vetëm në Kamëz, në të gjithë terrenin e Tiranës janë hequr diku te 15 mije familje dhe kjo ka ndodhur në të gjithë terrenin dhe jashtë Tiranës. Nuk e dimë pse këto familje po hiqen nga skema e ndihmës ekonomike. Jemi përballë një realiteti që qeveria i ka shpallur luftë të varfërve. Prandaj ne jemi këtu në anën e së vërtetës”, theksoi deputetja Hajdari, duke shtuar se gjendja e këtyre  familjeve dëshmon braktisjen e plotë të qeverisë ndaj tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here