Presidenti Thaçi: Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet

Kosovë&Rajon

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen edhe me termin Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohen dhe as nuk do të shfuqizohen. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, në një konferencë për gazetarë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenti Thaçi ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, kur në vitin 2015, kishin vendosur të themelonin Gjykatën Speciale për krime lufte.

Prersidenti Thaçi e ka arsyetuar veprimin e atëhershëm të institucioneve dhe pozicionin e tij pro themelimit të kësaj gjykate me ruajtjen e partneritetit me aleatët perëndimorë.

“Duke pasur parasysh vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit dhe miqësisë dhe besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, kam marrë përgjegjësitë që më takonin atëherë si kryeministër i vendit, për trajtimin e raportit të Dick Martyt, për mua fantastiko-shkencor”,ka thënëThaçi.

Sipas tij, në kohën e miratimit të themelimit të Gjykatës Speciale, në vitin 2015, kishte dy mundësi, ose të themelohet kjo gjykatë përmes Këshillit të Sigurimit ose përmes legjislacionit të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar luftë të drejtë. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi pse të frikësohemi. E dimë që është e padrejtë, por është diçka që duhet ta gëlltisim për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në”, u shpreh Thaçi.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur rreth proceseve të shumta që kanë ndodhur në vend në këto dhjetë vjet të pavarësisë së Kosovës.

Thaçi para gazetarëve tha se këto dhjetë vite kanë qenë vite të progresit, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit, të 115 njohjeve ndërkombëtare.

“Kanë qenë vite të ndryshimit të Kosovës për të mirë”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit tha se falë punës së përbashkët në Kosovë, bashkëpunimit dhe konsultimit me institucionet ndërkombëtare kanë arritur ta përmbyllin mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë.

“Tani është koha që autoritetet e drejtësisë në Kosovë t’i marrin përgjegjësitë që iu takojnë”, tha Thaçi.

Ai tha vendi ndodhet para një situate të re në këtë prag të dhjetë vjetorit të pavarësisë.

“Pas pak ditësh do të prezantohet Strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dua të shpresoj se edhe Kosova me kryerjen e obligimeve të veta do të përfshihet në mënyrë të qartë dhe të meritueshme në Strategjinë që do të publikohet pas pak ditësh”, tha ndër të tjera Thaçi.

Presidenti i vendit shprehu bindjen se Kosova ka të ardhme evropiane.

Ai tha se beson fuqishëm se Strategjia e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë konkrete edhe për Kosovën, si edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Kosovës i duhet qartësia për të ardhmen evropiane dhe kësaj qartësie do t’i ndihmojë shumë edhe vendimmarrja e institucioneve të vendit gjatë ditëve të ardhshme.

Ai tha se beson që skena politike në vend në një të ardhme të afërt do ta mbyll edhe çështjen e demarkacionit.

ME TE LEXUARAT